Negociatat, COELA dhe Presidenca daneze e Këshillit të BE-së vizitë në Tiranë
Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet Negociuese për Anëtarësim i Këshillit të BE-së (COELA), ndodhet këtë javë në Tiranë, i shoqëruar nga presidenca daneze e Këshillit të BE-së.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri njoftoi sot se, ata do të takohen me autoritetet shtetërore, misionet e shteteve anëtare të BE-së, shoqërinë civile, komunitetin e biznesit dhe institucionet e drejtësisë për të diskutuar mbi rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
Delegacioni i BE bën të ditur se, vizita thekson seriozitetin dhe angazhimin e BE-së për të çuar përpara procesin e anëtarësimit të Shqipërisë bazuar në meritë, veçanërisht në reforma të prekshme dhe të qëndrueshme, si dhe në zbatimin e tyre.
Shqipëria ka hapur 28 kapituj të negociatave në vetëm 11 muaj, teksa 4 kapitujt e fundit u hapën më 16 shtator në Konferencën e 6-të ndërqeveritare me BE-në.
Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE i’u kushtua grup-kapitullit IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.
Shqipëria ka çelur deri më tani 5 nga 6 grup-kapituj, të ashtuquajturin “Themeloret”, “Marrëdhëniet me Jashtë”, “Tregun e Brendshëm”, “Konkurrueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse” dhe Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.
Datat kryesore të procesit të negociatave
Më 24 mars 2020 ministrat për Çështjet Evropiane dhanë miratimin politik për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky vendim u miratua me procedurë të shkruar dhe u mbështet nga Këshilli Evropian.
Më 19 korrik 2022 u mbajt Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që shënoi zyrtarisht hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Më 15 tetor 2024 u mbajt Konferenca e dytë, ku u hapën negociatat për Grup-kapitullin 1 – Themeloret.
Më 17 dhjetor 2024 u mbajt Konferenca e tretë, ku u hapën negociatat për Grup-kapitullin 6 – Marrëdhëniet e jashtme.
Më 14 prill 2025 u mbajt Konferenca e katërt, e cila u fokusua në Grup-kapitullin 2 – Tregu i brendshëm, dhe ku BE vendosi gjithashtu kriteret për mbylljen e përkohshme të kapitujve të këtij grupi.
Më 22 maj u mbajt në Bruksel Konferenca e pestë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo konferencë shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin 3: “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”. Në këtë grup-kapitull përfshihen: Kapitulli 10 – Transformimi digjital dhe media; Kapitulli 16 – Taksat; Kapitulli 17 – Politika ekonomike dhe monetare; Kapitulli 19 – Politika sociale dhe punësimi; Kapitulli 20 – Politika për ndërmarrjet dhe industrinë; Kapitulli 25 – Shkenca dhe kërkimi; Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura; Kapitulli 29 – Bashkimi doganor.
Më 16 shtator u mbajt Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE ku u hap grup-kapitulli IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.
Kapitujt përfshijnë: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27)”.

