Rikthimi i Enver Hoxhës në Bibliotekën e Kuvendit, Peleshi: Ju kërkoj ndjesë, fajin e ka shërbimi i Kuvendit

Kuvendi i Shqipërisë përfshiu emrin e ish-diktatorit Enver Hoxha në një dokument informativ që rendiste figura historike të lindura ose të vdekura në muajin tetor, duke e vendosur atë krahas personaliteteve të njohura si Sulejman Delvina, At Gjergj Fishta, Abdyl dhe Naim Frashëri, Mbretin Zog I dhe shkrimtarin Dritëro Agolli.

Dokumenti përshkruante Hoxhën me tituj të dhënë nga regjimi komunist, të cilët u hoqën pas vitit 1990, pa përmendur vendimet e Kuvendit për dënimin e regjimit (Rezolutat e 2006 dhe 2016).

Veprimi shkaktoi reagime të ashpra nga deputetë, historianë dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët e konsideruan dokumentin si një përpjekje për glorifikimin e Hoxhës dhe fyerje ndaj viktimave të komunizmit.

Rikthimi i Enver Hoxhës në Bibliotekën e Kuvendit, ka detyruar kryeparlamentarin Niko Peleshi te reagoje.

Nga foltorja e Kuvendit ai u justifikua duke thënë se: “Kam vlerësuar më shumë seriozitet dhe kërkesat për qëndrim.

Në emër të kuvendit dua të shpreh keqardhjen dhe ndjesën për keqkuptimin dhe perceptimin  e krijuar pavarësisht qëllimit të thjeshtë informativ të materialit pa pasur synimin të mbroj apo vlerësoj ndonjë figurë të veçantë, aq më tepër Enver Hoxhës që është përmendur vetëm për shkak të datës së lindjes.

Teksti është nxjerrë pa interpretim nga fjalori enciklopedik. Prezantimi i këtij materiali ka krijuar perceptimin e gabuar dhe nxitur shqetësim veçanërisht te familjet e viktimave.  

I kam kërkuar institutit parlamentar një rishikim të plotë të procedurave të brendshme të bibliotekës së kuvendit për tu siguruar që materialet e ardhshme të shoqërohen me kontekst të qartë historik”, tha Niko Peleshi.