PS dhe PD shtyjnë ngritjen e 2 komisioneve/ Opozita kërkon mocion me debat për fondet e IPARD-it
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në Konferencën e Kryetarëve u dakordësua që diskutimi për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare të shtyhet për javën e ardhshme.
Bëhet fjalë për Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe atë të Reformës Administrativo–Territoriale, të cilat do të kenë nga 17 anëtarë – 9 nga mazhoranca dhe 8 nga opozita.
Komisioni për Reformën Zgjedhore do të trajtojë rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 14 majit 2023 dhe do të hartojë rregullat e reja për financimin e partive politike, ndërsa ai për reformën territoriale do të analizojë ndarjen aktuale administrative dhe do të propozojë ndryshime për forcimin e qeverisjes vendore dhe menaxhimit financiar të bashkive.
Megjithatë, përtej kësaj dakordësie, mbledhja u shoqërua me tensione. Debatet nisën që në rendin e ditës, pasi kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi shtimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin.
Përplasjet u ashpërsuan pasi mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për “mocion me debat dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar” në lidhje me gjetjet e OLAF-it për fondet e programit IPARD.
“Ata që përfaqësojnë interesat e krimit gjejnë mënyra për të shmangur debatin,” u shpreh Bardhi, duke shtuar se fondet e BE-së duhet të përfitojnë fermerët shqiptarë.
Edhe deputetja demokrate Ina Zhupa reagoi ashpër, duke e quajtur vendimin e mazhorancës “të pritshëm dhe antirregullor”.
Sipas PD-së, OLAF ka zbuluar keqpërdorime në vlerën e 33 milionë eurove që çuan në bllokimin e një pakete prej 112 milionë eurosh për Shqipërinë.
Partia Demokratike kërkoi miratimin e një rezolute që i bën thirrje institucioneve të drejtësisë të hetojnë rastin dhe të garantojnë mbrojtjen e fondeve të BE-së nga përfitimet e paligjshme.
Pavarësisht debateve, palët pritet të rikthehen javën e ardhshme për të formalizuar ngritjen e dy komisioneve dhe për të vijuar diskutimet mbi reformat e paralajmëruara.
