Lamtumirë “dëshmor i drejtësisë”/ Përfaqësues të drejtësisë e politikës pjesë e homazheve për Astrit Kalanë, do të prehet në Shkodër
Gjyqtarit Astrit Kalaja, të parit të vrarë në krye të detyrës në një sallë gjyqi, iu dha lamtumira me homazhe, ku krerët e shtetit e politikës u bënë bashkë me përfaqësues të sistemit e qytetarë për të përcjellë mesazhe të forta të mbështetje për njerëzit që japin drejtësi.
Kryeministri Edi Rama nderoi jetën e veprimtarinë e Kalasë në sistemin e drejtësisë, ndërsa vrasjen e tij e cilësoi tragjedi për vetë shtetin.
“Një tragjedi e madhe për familjen, të afërmit, kolegët dhe vetë shtetin. U prehtë në paqe dhe të rroni e ta kujtoni gjithnjë" shkroi kreu i qeverisë në librin e ngushëllimeve.
Presidenti Bajram Begaj i shmangu deklaratat, ndërsa pati një shtrëngim duarsh me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani.
Kryeprokurori i Posaçëm po ashtu ruajti solemnitetin, ndërsa nuk pranoi të bëjë komente, përtej qëndrimit zyrtar të SPAK për vrasjen e gjyqtarit të Apelit të Përgjithshëm.
Në ditën e lamtumirës, përfaqësuesit e opozitës kërkuan shpalljen e gjyqtarit Astrit Kalaja dëshmor të Atdheut, ndërsa përfaqësues të mazhorancës, depozituan kërkesën që ai të nderohet me një minutë heshtje në seancën e të enjtes në Kuvend.
Gjyqtarë e prokurorë nga i gjithë vendi, i bënë homazh kolegut të vrarë në misionin për të dhënë drejtësi, mes shqetësimeve për sigurinë, e si i tillë foli edhe ish ministri i drejtësisë, Ulsi Manja.
Gjyqtari Astrit kalaja u vra të hënën në sallën e Gjyqit nga Elvis Shkambi, pasi shpalli një vendim për një çështje pronësie në Shkodër.
Rakip dhe Elvis Kurtajn, palë kundërshtare në proces mbetën të plagosur jashtë rrezikut për jetën nga plumbat brenda gjykatës. Gjykatësi do të prehet në qytetin e lindjes, në Shkodër.
I pranishëm ishte edhe Maksim Haxhija, kreu i Dhomës së Avokatëve, i cili pas homazheve dha një deklaratë për mediat. Ai u shpreh se gjyqtarët janë të demotivuar, ndërsa shtoi se kjo situatë duhet analizuar edhe tek vetë avokatët, “të cilët u japin më shumë shpresë klientëve sesa duhet”.
Zoti Haxhija theksoi gjithashtu se komuniteti i avokatëve do të vazhdojë bojkotin deri në një analizë të thellë të situatës dhe marrjen e masave konkrete për të parandaluar ngjarje tragjike si kjo.

“Lamtumirë njeriut të ligjit, shërbëtorit të drejtësisë e profesionistit të spikatur, Astrit Kalaja. Kontributi i tij i çmuar do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që besojnë në forcën e ligjit dhe në shtetin e së drejtës. Ngushëllime për familjen, kolegët, trupën gjyqësore dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan Astritin. Prehu në paqe mik i dashur!”, shprehet ministri Lamallari.
Homazhet në Tiranë do të përfundonin në orën 11:00. Më pas, trupi i gjyqtarit Astrit Kalaja do të përcillet drejt qytetit të tij të lindjes, Shkodër, ku do të mbahen homazhe të tjera nga ora 14:00 deri në 16:00, për t’u varrosur më pas në qytetin e tij.
Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes sigurinë në ambientet e institucioneve të drejtësisë, ndërsa kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi masat e sigurisë në gjykata.
Dinamika e ngjarjes
Ngjarja ka ndodhur më 7 tetor, në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë. Rreth orës 13:42, shtetasit Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi kanë hyrë në gjykatë duke kaluar nëpërmjet pajisjes së skanimit (detektor metalesh), e cila ka sinjalizuar prezencën e objekteve metalike.
Pavarësisht alarmit, punonjësi i sigurisë Banush Koxha nuk ka kryer kontroll fizik dhe as ka regjistruar hyrjen e tyre në librin e protokollit, siç parashikon procedura standarde.
Dy shtetasit kanë qëndruar në hollin e pritjes deri në orën 15:29, kur janë futur në sallën e gjyqit nr. 3. Vetëm 6 minuta më pas, në momentin që gjyqtari Astrit Kalaja shpall vendimin, Elvis Shkambi ka nxjerrë një pistoletë nga brezi dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit.
Kalaja, i plagosur rëndë, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, pavarësisht ndihmës së parë të ofruar në vendngjarje.
Në të njëjtin moment, autori ka qëlluar edhe në drejtim të shtetasve Rakip dhe Ervis Kurtaj, duke i plagosur. Të dy ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Pas sulmit, autori ka dalë nga salla, ka dorëzuar armën te një punonjës tjetër gjyqësor dhe është neutralizuar dhe arrestuar menjëherë nga forcat e policisë në oborrin e Gjykatës.


