Tragjedia në Gjykatën e Apelit/ Marku: Isha ngjitur me Elvis Shkambin para ngjarjes… Kishte një sjellje normale

E ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, avokatja Aurora Marku foli për ngjarjen e rëndë që ndodhi dy ditë më parë në Gjykatën e Apelit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.

Avokatja shtoi se atë ditë ka qenë shumë afër vrasësit të gjyqtarit, Elvis Shkambi dhe se ai kishte pasur një sjellje shumë normale me njerëzit para se të qëllonte mbi Astrit Kalanë.

“Në Gjykatën e Apelit merret vesh çdo gjë, pasi ambjenti ku presim për të filluar gjyqet është shumë i vogël dhe pret gjithë Shqipëria, avokatët, njerëzit, gjyqtarët, je në kontakt gjithë kohës.

Unë edhe personin që ka kryer krimin e kam patur shpesh herë shumë afër, pasi ata kanë pritur mbi një orë e gjysmë në ambjentet e gjykatës, për të pritur orarin e tyre.

Unë e kisha gjyqin tim në orën 14:30 dhe personat kanë hyrë në gjyqin e tyre në orën 15:30.

Unë nuk kisha hyrë akoma sepse ka shumë vonesa.

Duke pasur ngarkesë shumë të madhe, duke pasur mungesë sallash, në Gjykatën e Apelit mund ta kesh gjyqin në orën 9:00 dhe mund të hysh në orën 14:00 në gjyq. Nuk është e habitshme.

Dhe gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi qënë në të njëjtin ambjent me vrasësin, ku ka patur kontakt shumë normal me njerëzit e tjerë”, u shpreh Marku.