Avokati i Popullit: Shqetësim mungesa e kulturës ligjore dhe e diskursit publik që ushqen agresionin
Avokati i Popullit shpreh tronditjen e thellë për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, duke e cilësuar ngjarjen si alarm serioz për shtetin ligjor dhe sigurinë publike. Institucioni kërkon reflektim dhe përgjegjësi urgjente për të garantuar jetën dhe integritetin e atyre që shërbejnë drejtësisë.
Avokati i Popullit thekson nevojën për përmirësim të sistemit të drejtësisë dhe kundërshton kulturën e munguar ligjore dhe diskursin publik që ushqen mosbesimin dhe agresionin ndaj gjyqtarëve. Drejtësia nuk mund të ushtrohet nën frikë.
Reagimi i Avokatit të Popullit:
Një gjyqtar, përfaqësues i pushtetit të drejtësisë, u vra sot brenda sallës së gjyqit teksa jepte vendimin. Kjo është një nga ngjarjet më të paprecedenta në historinë e drejtësisë shqiptare dhe një alarm i rëndë për shtetin ligjor, për sigurinë publike dhe për shoqërinë tonë.
Avokati i Popullit shpreh tronditjen e thellë për humbjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe në të njëjtën kohë, ngre me forcë nevojën urgjente për reflektim dhe përgjegjësi institucionale, në çdo hallkë që ka detyrimin të garantojë jetën dhe integritetin e atyre që i shërbejnë drejtësisë.
Përtej vetë veprimit kriminal të ndodhur sot, kjo ngjarje e rëndë na detyron të kthejmë vështrimin tek rrënjët e një sistemi të mbingarkuar ndër vite, me vakanca të theksuara dhe me një ngarkesë që e ka penguar të funksionojë me eficiencë — jo vetëm në raport me pritshmëritë e qytetarëve, por shpesh edhe nën standardet e periudhës para reformës në drejtësi.
Po aq shqetësuese mbetet kultura e munguar ligjore që shpesh e sheh gjykatën si armik, jo si garanci të së drejtës — dhe diskursi publik që, në vend të argumentit dhe respektit ndaj ligjit, ushqen mosbesimin, përbuzjen dhe agresionin. Në këtë klimë, drejtësia është e pambrojtur, dhe me të — e pambrojtur mbetet edhe vetë shoqëria. Drejtësia nuk mund të ushtrohet nën frikë!
