KLP reagon për ngjarjen e rëndë tek gjykata e Apelit: Sulm i drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës dhe shtetit ligjor
Këshilli i Lartë i Prokurorisë shprehu tronditjen e thellë për vrasjen me armë të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit gjatë ushtrimit të detyrës.
Në një deklaratë zyrtare, Këshilli e cilësoi ngjarjen si një akt të papranueshëm dhe sulm direkt ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike.
Ai përcolli ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe kolegët e gjyqtarit dhe theksoi nevojën për një unitet institucional dhe përgjegjësi të përbashkët për mbrojtjen e përfaqësuesve të drejtësisë.
Reagimi i KLP-së:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë që goditi sot sistemin e drejtësisë dhe gjithë shoqërinë shqiptare, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
Vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i pa imagjinueshëm, që përbën jo vetëm një krim ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, por edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike në tërësi.
Në këto çaste zie, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dëshiron të përcjellë ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe kolegëve të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke shprehur solidaritetin e plotë me gjithë trupën e drejtësisë.
Kjo tragjedi na kujton domosdoshmërinë e një uniteti të fortë institucional dhe përgjegjësie të përbashkët shtetërore, për të mbrojtur çdo përfaqësues të drejtësisë që shërben në emër të ligjit.
