GUARDIOLA I REKORDEVE! Spanjolli bëhet trajneri më i shpejtë që arrin 250 fitore në Premier League

Pep Guardiola vendos një rekord të ri në Premier Ligën angleze. Tekniku spanjoll i Mançester Sitit bëhet trajneri më i shpejtë që arrin shifrën e 250 fitoreve dhe këtë e bën në vetëm 349 ndeshje të zhvilluara. Në këtë mënyrë, 54-vjeçari lë pas emra të mëdhenj si Sër Aleks Ferguson dhe Arsen Venger.

Në futbollin anglez, statistikat nuk janë vetëm numra por janë edhe dëshmi të lavdisë. Dhe këtë fundjavë, Pep Guardiola ka shkruar një tjetër kapitull të artë në historinë e Premier League.

Trajneri katalanas i Manchester Cityt ka arritur fitoren e tij të 250-të në elitën e futbollit anglez, duke u bërë trajneri më i shpejtë ndonjëherë që prek këtë shifër. Një arritje që nuk flet vetëm për sukses, por për dominim të pastër në një nga kampionatet më konkurruese në botë.

Fitorja historike erdhi të dielën, në një transfertë të vështirë ndaj Brentfordit, ku blutë nga Manchesteri siguruan 3 pikë të arta falë një goli vendimtar të Erling Haaland, pas vetëm 9 minutave lojë. Një gol që jo vetëm vendosi fatin e ndeshjes, por edhe vulosi këtë rekord të jashtëzakonshëm për Guardiolën.

Guardiola e arriti këtë sukses pas vetëm 349 ndeshjesh në krye të City-t. Një rekord i ri, që përmbys shifrat e trajnerëve legjendarë si Sir Alex Ferguson dhe Arsène Wenger. Për krahasim, Fergusonit iu deshën 404 ndeshje, ndërsa Wengerit 423, për të regjistruar 250 fitore në Premier League.

Por ajo që e bën këtë arritje edhe më domethënëse është përqindja e fitoreve. Tekniku spanjoll 54-vjeçar ka fituar 71.6% të ndeshjeve të tij në kampionat. Një shifër që nuk e ka arritur askush tjetër në historinë e Premier League. Një dominim që zgjat prej vitit 2016, kur ai mori drejtimin e City-t dhe ndryshoi përfundimisht mënyrën e të luajturit futboll në Angli.

Është një nder të jem përkrah Sir Alex Ferguson dhe Arsene Wenger, do t’i ftoj për një darkë të mirë, u shpreh Guardiola, i cili është në sezonin e tij të 10-të me Cityn.

Është kënaqësi të jem pjesë e kësaj në historinë e Premier League, jam vërtet i kënaqur. Tani le të shkojmë për 250 të tjera, tha ndër të tjera 54-vjeçari.

Nën drejtimin e tij, Manchester City ka fituar pesë tituj kampioni, ka thyer rekorde të golave dhe pikëve, dhe ka ngritur në një tjetër nivel standardin e lojës sulmuese dhe të organizimit taktik.

Fitorja kundër Brentfordit e ngjit City-n në vendin e pestë në renditje me 13 pikë në 7 javë kampioant, 3 pikë larg Arsenalit kryesues.