VIDEO/ S'ka fitues në Derbin e Italisë, kuqezinjtë më të rrezikshëm, Juventusi shpëton nga penalltia

Derbi i Italisë mes Juventusit dhe Milanit, i zhvilluar në “Allianz Stadium”, u mbyll pa gola dhe pa fitues (0–0). Kuqezinjtë u treguan më të rrezikshëm, por nuk arritën të shfrytëzojnë rastet e shumta që krijuan.

Pjesa e parë e kujdesshme

45 minutat e para u karakterizuan nga një lojë e kujdesshme nga të dyja skuadrat. Juventus tentoi me goditje nga distanca përmes Locatellit dhe Gattit, ndërsa për Milanin rasti më i mirë erdhi nga Santiago Gimenez, por tentativa e tij u ndal nga portieri Di Gregorio.

Pjesa e dytë: Milan humb penalltinë

Loja u gjallërua në fraksionin e dytë, me Milanin që pati mundësinë më të artë. Christian Pulisic në minutën e 54-të gaboi nga pika e bardhë, duke dërguar topin mbi traversë. Ky moment rezultoi vendimtar, pasi bardhezinjtë nuk u kundërpërgjigjën me raste të rrezikshme.

Leao sjell gjallëri, Di Gregorio shpëton Juventusin

Hyrja e Rafael Leaos nga stoli solli më shumë intensitet te Milani. Ai krijoi disa situata të rrezikshme, përfshirë një gjuajtje në minutën e 90+1, të cilën Di Gregorio e priti me vështirësi. Nga ana tjetër, Juventusi mbeti i zbehtë dhe pa ide sulmuese.

Gjendja në renditje

Me këtë barazim, Milani mbetet në vendin e tretë me 13 pikë, ndërsa Juventusi renditet i pesti me 12 pikë.