BERZH investon 50 milionë euro në obligacionin e GEK TERNA, mbështetje për projekte energjetike në Shqipëri dhe rajon
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po investon 50 milionë euro në një obligacion shtatëvjeçar prej 500 milionë eurosh të lëshuar nga GEK TERNA S.A., kompania holding e grupit GEK TERNA në Greqi.
Ky obligacion do të tregtohet në Bursën e Athinës dhe synon të mbështesë projekte të qëndrueshme në fushën e energjisë dhe infrastrukturës në Greqi, Rumani, Shqipëri dhe Kosovë.
Investimi i BERZH-it do të mbështesë projektet e GEK TERNA në prodhimin e energjisë së rinovueshme, sistemet e ruajtjes së energjisë me bateri, infrastrukturën sociale dhe menaxhimin e ujërave, në vendet ku grupi operon.
Sipas njoftimit zyrtar, të ardhurat nga obligacioni do të përdoren për të financuar aktivitetet e përgjithshme të kompanisë në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës, për të rifinancuar borxhet ekzistuese të saj dhe të filialeve, si dhe për të mbuluar kostot e emetimit të obligacionit.
Në Shqipëri, GEK TERNA po zhvillon dy projekte energjetike, një impiant fotovoltaik 93 MW në Libohovë dhe një termocentral me gaz natyror 170 MW në Roskovec, në bashkëpunim me kompani partnere.
