Punëtori plagoset pas rënies nga skela gjatë rikonstruksionit të shkollës në Memaliaj, arrestohet drejtuesi teknik i firmës së ndërtimit

Tekniku i një kompanie private që po kryente rikonstruksionin e një shkolle në Memaliaj është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës ditën e sotme. Ai akuzohet për veprën penale të “shkeljes së rregullave në punë”.

Hetimet nisën menjëherë pas një aksidenti në punë të ndodhur në kantierin e punimeve, teksa ka rënë nga skela A.D., 47 vjeç, punëtor i firmës, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Burime zyrtare bënë me dije se në pranga ra M.Ç., 68 vjeç, banues në Lushnjë.

“U arrestua në flagrancë për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin M. Ç., 68 vjeç, banues në Lushnjë, me detyrë teknik i firmës që kryen rikonstruksionin e një shkolle në Memaliaj, pasi gjatë punës, dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga skela, shtetasi A. D., 47 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Veprimet e para hetimore u kryen specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Memaliaj, kurse dosja i kaloi Prokurorisë së Gjirokastrës.