Shkarkimi i Veliajt/ Bozdo: Sukses dhe fitore e merituar e PD falë protestave para bashkisë Tiranë

Deputeti i PD, Eno Bozdo në një intervistë në Ora News u shpreh se shkarkimi dhe arrestimi i Erion Veliajt ishte një sukses dhe një fitore e merituar e PD falë protestave para bashkisë së Tiranës.

Bozdo: Ishte besoj unë një sukses, pse jo fitore e merituar e PD e cila nëpërmjet lidershipit të saj politik për Tiranën, Belind Këlliçit, Ilda Zhulalit, Dorian Telitit, Ilir Alimehmetit e sa e sa të tjerë për 44 javë rresht sollën përpara opinionit publik me anë të protestave të tyre një skemë e jashtëzakonshme të mashtrimit dhe korrupsionit, mega-aferë korrupsioni me paratë publike.

Unë mendoj se po të mos ishte kjo qëndresë, kjo çështje ndoshta do ishte përfunduar si shumë e shumë çështje të tjera që përfundojnë në sirtarët e SPAK.

Dhe me siguri që koherenca edhe rëndësia e tij do ishin zbehur.

E gjitha çfarë ka ngjarë është si pasojë do thoja unë e këmnbënguljes për hir të interesit publik, për hir të qytetarëve të Tiranës në zbardhjen e kësaj skeme dhe presionit pozitiv që iu bë politikës por edhe organeve ligjzbatuese gjë që detyroi pastaj edhe vetë kryeministrin kur e pa që ishte e pamundur për ta mbrojtur njeriun e tij në Tiranë.

Duhet të kujtojmë që për muaj të tërë Rama e mori në mbrojtje Veliajn.

Por pastaj vjen një çast kur problematika është kaq e madhe dhe kosto e këtij vendimi bëhet kaq e madhe saqë u mor një vendim politik i cili sot praktikisht shkarkon Erion Veliajn dhe i hap rrugë zgjedhjeve në bashkinë Tiranë.