Në kërkim të një kandidati për Tiranën/ Berisha: Marrëveshje me spektrin opozitar dhe aleatët për emrin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se në lidhje me kandidatin opozitar për zgjedhjet e parakohshme në bashkinë e Tiranës, po bëhen konsultime me me aleatët dhe të gjithë spektrin opozitar.

“Do të ketë marrëveshje patjetër, me aleatët dhe me spektrin opozitar, patjetër që do të ketë”, tha Berisha.

Referuar Erion Veliajt, ai theksoi se atij po i kërkohet që të mos shkojë në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që të dalë nga burgu.

“Erion Veliajt po i kërkohet në mënyrë ultimative që të mos shkojë në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që të dalë nga burgu, të ndiqet i lirë dhe të ketë lehtësi”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se varianti është antikushtetues.

“Çfarë ka ndërmend tu thotë Edi Rama sot shqiptarëve. Nuk e shkarkova unë, thotë. Noterizova vendimin. Por kurrë fuqia ekzekutive nuk është noterizuese”, deklaroi Berisha duke iu referuar procesit të shkarkimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.