Vepra “Fëmijët” në skenën e “Metropolit” nga regjisori francez Éric Vigner

Éric Vigner, regjisor dhe artist pamor francez, solli mbrëmë, në skenën e Teatrit Metropol, veprën “Fëmijët”, të autores Lucy Kirkwood.

Vigner është formuar në Conservatoire National Supérieur d’Art Dramatique, në Paris. Ai ka vënë në skenë vepra të autorëve bashkëkohorë e klasikë dhe ka drejtuar për vite me radhë Théâtre de Lorient. Prej 18 vjetësh, regjisori i mirënjohur francez, kthehet here pas here në Shqipëri, për të vënë në skenë vepra të ndryshme.

Në dramën “Fëmijët”, Hazel dhe Robin, ish-shkencëtarë bërthamorë në pension, përpiqen të jetojnë qetë mes frikës së ndotjes, derisa rikthimi i Rozës sjell një kërkesë të vështirë. Të tre përballen me dilema, kujtime dhe marrëdhënie të ndërlikuara, mes sakrificës dhe dëshirës për një jetë të qetë.

Ata përballen me një dilemë morale: qetësia e pleqërisë apo një mision vetëflijues për të shpëtuar brezat e ardhshëm?

Vepra angleze bashkëkohore, “Fëmijët”, është shkruar në 2017-ën. Ajo do të vijë për 5 netë rresht nën interpretimin e Luiza Xhuvanit, Vasjan Lamit dhe Yllka Mujos.