BSH: Ekonomia rritje 3,4%, inflacioni nën kontroll
Ekonomia ka shënuar zhvillime pozitive gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, me një rritje vjetore prej 3,4%, e nxitur nga konsumi i brendshëm, investimet private dhe performanca e qëndrueshme e sektorit të turizmit, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, këto zhvillime kanë ndikuar në rritjen e punësimit, rritjen e pagave dhe uljen e normës së papunësisë.
Në 6-mujorin e parë 2025 norma e papunësisë ra në 8,7%, nga 8,8% që ishte një vit më parë. Si rezultat, numri total i të punësuarve u rrit me rreth 2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje ka ardhur në mënyrë të barabartë nga të dy sektorët, si ai publik ashtu edhe ai privat.
Ndërsa rritja vjetore e pagave ishte rreth 12%, e nxitur nga rritja në sektorin publik me rreth 15% dhe në atë privat me rreth 10%.
Në të njëjtën kohë, niveli i pagave është rritur, ndërsa inflacioni mbeti nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, me një normë mesatare prej rreth 2% gjatë periudhës.
Duke vlerësuar mjedisin ekonomik dhe inflacionin e ulët, Banka e Shqipërisë vendosi në korrik 2025 të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në 2.5%, për të nxitur më tej aktivitetin ekonomik.
Nga ana fiskale, politika buxhetore ruajti kahun konsolidues, me një mbledhje më të lartë të të ardhurave se objektivi dhe përmirësim të treguesve kryesorë fiskalë. Borxhi publik ra në 56% të PBB-së në fund të marsit 2025, duke shënuar një përmirësim krahasuar me një vit më parë.
Në aspektin e jashtëm, ekonomia shqiptare është nxitur nga rritja e të ardhurave nga shërbimet, remitancat, investimet e huaja direkte dhe rezervat valutore që kanë kontribuar në forcimin e qëndrueshmërisë afatgjatë ekonomike.
Flukset hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte arritën në nivelin e 398 milionë euro, duke mbetur në nivele të krahasueshme me një vit më parë (397 milionë euro).
Borxhi i jashtëm bruto është ulur gjatë tremujorit të dytë, kryesisht për shkak të reduktimit të detyrimeve të Qeverisë së Përgjithshme. Ai vijon të jetë kryesisht afatgjatë dhe ka zbritur në 40.5% të PBB-së.
Ndërkohë, treguesit e stabilitetit financiar kanë mbetur në nivele të kontrolluara, duke reflektuar një klimë makroekonomike të qëndrueshme dhe të favorshme për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë.
