Xhelaj: I këtij viti, ishte procesi më i mirë i regjistrimit në Universitete. Kuota bosh do të ketë gjithmonë, ja pse

Në të gjitha universitet e vendit janë plotësuar rreth 16 mijë kuota nga studentët, që do të nisin për herë të parë arsimin e lartë.

Drejtori i Përgjithshëm i Rrjetit Akademik Shqiptar Arjan Xhelaj tha sot për “Ora News” se ka qenë procesi më i mirë ndër vitet e fundit i regjistrimit në universitete.

“Patëm 16 mijë regjistrime që në raundin e parë, pasi gjithmonë kemi lëvizur diku tek 70 % - 80%.

Kjo është një tregues që sistemi është maturuar ndër vite dhe maturantët presin çastin e duhur për të bërë regjistrimin në atë degë që ata dëshirojnë.

Gjithashtu, tregon edhe faktin se një pjesë e mirë e universiteteve e kanë përshtatur programin e tyre më mirë edhe me tregun e punës, kështu që maturantët e kanë më të lehtë zgjedhjen dhe regjistrimin.

Në raundin e dytë patëm rreth 3 mijë maturantë që iu shtuan sistemit dhe 4 mijë që ngelën në raundin e parë, janë diku rreth 7 mijë maturantë, nga të cilët kemi mbi 6300 maturantë që e kanë bërë tashmë aplikimin e tyre në këtë fazë të dytë dhe s’duhet harruar që është dhe raundi i tretë.

Sa i përket kuotave të lira, ato kjanë të bëjnë me kapacitetet që kanë universitetet, që do të thotë se këto universitete e përgatisin ofertën e tyre bazuar edhe numrat e pritshëm për t’u regjistruar që janë diku 26 mijë dhe ky është numri që vërtitet.

Nuk është e thënë që sa maturantë mbarojnë shkollat dhe regjistrohen të gjithë në universitete, pasi kjo do të ishte diçka unikale në botë.

Pra, kjo do të thotë se do të ketë kuota të lira, por universitetet presin gjithnjë e më shumë nga viti në vit.

Po ashtu, nuk duhen harruar regjistrimet e studentëve të huaj në vendin tonë”, u shpreh Arjan Xhelilaj.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME DREJTORIN E PËRGJITHSHËM TË RASH, ARJAN XHELAJ