Më shumë mbetje për banor! Një individ krijoi 360 kg plehra në një vit! 19 % u ricikluan, 5% u dogjën për energji
Gjatë vitit 2024 një banor në Shqipëri prodhoi 360 kilogram mbetje me një rritje të konsiderueshme. INSTAT raporton dhe një rritje të menaxhimit, ndërsa rreth 19 për qind e totalit u riciklua dhe 5 të tjera u dogj për të prodhuar energji. Pjesa tjetër kaloi në landfille
U prodhuan më shumë mbetje gjatë vitit të shkuar sasia e mbetjeve të prodhuar prej çdo banori në Shqipëri u rrit me 9 kilogram.
Sipas të dhënave të INSTAT një individ arriti në 360 kilogramë mbetje, nga 351 kilogramë që ishin një vit më pare.
Po ashtu bëhet e ditur se u arrit të menaxhohen gjithsej 862 mijë tonë mbetje urbane në 12 muaj, me një rritje prej 2,1 për qind kundrejt vitit të mëparshëm.
Pjesa më e madhe, plot 89,5 për qind, janë mbetje familjare dhe të ngjashme me to.
Mbi gjysmën e totalit e zënë mbetjet organike, ndërsa plastika dhe letra pasojnë me rreth 9–10 për qind secila.
Pjesa më e madhe e tyre kaloi në landfille, por INSTAT ka raportuar dhe për funksionim të djegësave, pa u specifikuar se për cilët prej tyre bëhet fjalë.
Nga mbetjet e mbledhura, 76,3 për qind u depozituan në landfill, 18,8 për qind u ricikluan, dhe 4,9 për qind u dogjën për energji, thuhet në raportin e INSTAT. Hedhjet e pakontrolluara janë reduktuar ndjeshëm, duke mbetur vetëm në 0,02 për qind të totalit.
Tashmë nisur dhe nga kërkesat për negociatat e integrimit është propozuar një plan i ri i menaxhimit të mbetjeve në vend. Për këtë kërkohet rritja e mundësisë së riciklimit por dhe format e tjera të rekomanduara edhe nga Bashkimi Evropian.
