Programi i qeverisë për mjedisin- Ekonomi qarkulluese në rang vendi, zbatim parimit “ndotësi paguan”
Mbrojtja e mjedisit dhe përballja ndaj ndryshimeve klimatike janë pjesë qendrore e politikave zhvillimore të Shqipërisë.
Objektivi i programit 4-vjeçar të qeverisë të miratuar nga Kuvendi është që deri në vitin 2030, Shqipëria të jetë një shembull evropian i zhvillimit të qëndrueshëm në mbrojtjen e mjedisit dhe adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike, përmes forcimit të sistemeve të mbrojtjes, rritjes së sipërfaqeve të gjelbra dhe integrimit të plotë me politikat e gjelbra të BE-së.
Në fokus të programit është edhe krijimi i Ekonomisë Qarkulluese në rang vendi me një Operator Kombëtar të Trajtimit të Integruar të Mbetjeve dhe me investime në të gjithë zonat e menaxhimit të mbetjeve.
Konkretisht do të rritet riciklimi dhe kompostimi, do të shtohen venddepozitimet sanitare, do të mbyllen pikat e papërshtatshme historike dhe do të mbahen bashkitë të pastra.
Një tjetër objektiv është forcimi i kontrollit të territorit dhe zbatimi i standardeve të BE mbi përgjegjësinë mjedisore sipas parimit “Ndotësi paguan” dhe luftën ndaj krimit mjedisor.
Gjithashtu programi përfshin edhe ndërtimin e sistemit të ri digjital të integruar i të dhënave mjedisore për gjurmim “realtime”.
Në programin 4-vjeçar të qeverisës synohet edhe përmirësimi i menaxhimit të integruar të burimeve ujore duke shtuar kapacitetet e monitorimit në të gjitha basene dhe ujërat detare, përmirësimi i sistemit të të dhënave mjedisore nëpërmjet përdorimit të teknologjive të reja dhe integrim të burimeve vendore/qendrore.
Në fokus është edhe rritja e pyllëzimit: dokumente kornizë dhe kadastra e zonave të mbrojtura; rimbjellje e zonave të prekura nga zjarret si dhe harmonizimi i politikave klimatike në të gjithë sektorët për ulje të emetimeve dhe përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike.
Sot, 21,6 % e territorit kombëtar është zonë e mbrojtur, ndërsa deklarimi i lumit Vjosa së bashku me tre tributarët e tij (Drino, Bënça dhe Shushica) si i pari Park Kombëtar në Evropë i një lumi të egër e ka vendosur Shqipërinë në hartën globale të mbrojtjes së biodiversitetit.
Në kuadër të “Vitit të Pyjeve 2024” janë ripyllëzuar dhe shtuar sipërfaqe të gjelbra me mbi 500 mijë pemë në 150 fushata mbjelljeje, duke rritur sipërfaqet e gjelbra urbane dhe rurale dhe duke përmirësuar cilësinë e ajrit.
Paralelisht, është përmirësuar rrjeti i monitorimit të cilësisë së ajrit dhe janë hartuar strategji për reduktimin e ndotjes nga transporti dhe operatorët industrialë. Në fushën e menaxhimit të mbetjeve, është shtuar dhe përmirësuar infrastruktura e trajtimit të mbetjeve me impiante të kompostimit, riciklimit si dhe ata rajonal të trajtimit fundor të mbetjeve, duke ulur ndjeshëm edhe duke mbyllur një pjesë të madhe të venddepozitimeve të pakontrolluara.
Gjithashtu përqindja e mbledhjes së mbetjeve në territorin e Republikës ka arritur në 98% duke dyfishuar dhe trefishuar në disa raste frekuencën dhe mjetet e mbledhjes së mbetjeve në bashkitë bregdetare gjatë periudhës së fluksit të lartë të sezonit turistik. Për ujërat, janë forcuar kapacitetet e monitorimit të baseneve dhe nisur hartimi i Strategjisë Kombëtare për Ujërat Detare.
Shqipëria ka miratuar ligje të reja për eficiencën e energjisë dhe biokarburantet, si dhe ka nisur zbatimin e Planit Kombëtar për Rinovimin e Ndërtesave, duke e lidhur mbrojtjen e mjedisit me tranzicionin energjetik dhe uljen e emetimeve.
Gjithashtu Shqipëria ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Ndryshimeve Klimatike si dhe ka nisur zbatimin e planeve vendore për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike duke krijuar mundësinë e mitigimit të efekteve nëpërmjet masave të prioritizuara për 5 sektorët kryesore si Energjia, Transporti, Turizmi, Bujqësia dhe Zhvillimi Urban.


