“HAKO”, nga krimi ushqimor te pastrimi i parave në ndërtim

Burime të sigurta nga shërbimet e anti-krimit ekonomik-financiar kanë bërë të ditur për “Pamfleti” se pronarët e kompanisë së sallamerive “HAKO”, përveç mashtrimeve dhe krimeve ushqimore, janë përfshirë edhe në pastrimin e parave të zeza në sektorin e ndërtimit.

Në fund të prillit 2021, pasi u bënë pjesë e oborrit të kryeministrit Edi Rama përmes ortakërisë me një botues gazete dhe financimit të fushatës së PS-së, Adnand dhe Antonela Hako hynë në biznesin e ndërtimit.

Ata krijuan kompaninë “Legal Construction Sh.p.k”, në ortakëri me dy kompani të tjera importi e tregtimi mishrash, “Frigo Alba Sh.p.k” dhe “International-Foods Sh.p.k”, të cilat janë të përfshira gjithashtu në mashtrime me produktet ushqimore.

Sipas raporteve të dërguara Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe vetë kryeministrit Rama, janë pikërisht Adnand dhe Antonela Hako ata që grumbullojnë milionat e korrupsionit të pushtetarëve dhe trafikantëve dhe i pastrojnë në sektorin e ndërtimit.

Mënyra e pastrimit bëhet në dy forma:

• Direkt, përmes kompanisë së tyre “Legal Construction Sh.p.k”, ku zotërojnë 25% të aksioneve.

• Si investitorë të fshehtë dhe kreditues ilegalë, duke futur para të pista në kompani të tjera ndërtimi, kundrejt përqindjes me fajde ose këmbimit me sipërfaqe ndërtimi.

Investimet e drejtpërdrejta të familjes Hako janë të dukshme. Ata kanë financuar kompleksin me restorante, hotel, qebaptore dhe parking në qendër të Butrintit, një projekt i miratuar nga ish-ministrja Mirela Kumbaro me bekimin e Ramës. Një tjetër investim madhor po zhvillohet në 4.7 hektarë park natyror, pronë shteti buzë lumit Vjosë në fshatin Peshtan të Tepelenës. Me statusin “Investitor Strategjik”, të dhënë nga qeveria, ata po ndërtojnë një resort turistik dhe fermë agro-bujqësore me hotele, fabrikë pijesh, pulari dhe kompleks derrash, nën emrin “Zagroturizëm”.

Sipas të dhënave të raportuara nga Antikrimi dhe SHISH, Adnand e Antonela Hako, së bashku me ortakët e tyre në ndërtim dhe tregtinë e mishit, kanë injektuar miliona euro të dyshimta në kompani të tjera ndërtimi si kredi ilegale jashtë sistemit bankar, nën maskën e “Legal Construction Sh.p.k”.

Nga prilli 2021 e deri sot, pra katër vite pas krijimit të “Legal Construction Sh.p.k.”, kjo kompani-fantazmë nuk ka deklaruar asnjë bilanc financiar në tatime, përveç kapitalit themelues prej vetëm 100 lekësh./Pamfleti