ARRATISJA NË TENTATIVË/ Kush është Bledar Selmanaj, i dënuar për vr*sjen e Xhulian Bullarit

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me tantativën e arratisjes të një të burgosuri në Fier. I burgosuri Bledar Selmanaj tentoi të arratisej gjatë ditës së mërkurë.

Mësohet se ai ka qenë në ajrim dhe ka tentuar të dalë nga rrethimi i burgut. Ai është dënuar për vrasjen e mikut të tij, Xhulian Bullari. Selmanaj ka tentuar arratisjen nga burgu dhe dy herë të tjera.

Në shtator të vitit 2021, ai tentoi të arratisej nga spitali i burgut në Tiranë, ku ishte transferuar nga burgu i Peqinit për arsye shëndetësore. Gjithashtu, në gusht të vitit 2021, ai ka tentuar vetëvrasjen gjatë qëndrimit në burg dhe rezulton se vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Selmanaj u arrestua më 21 gusht 2021 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, katër ditë pas ekzekutimit të Xhulian Bullarit në aksin Vlorë-Babicë. Viktima u gjet e vdekur në një makinë tip Fiat Punto, ku sipas ekspertizës u qëllua me tre plumba, duke marrë një goditje në kokë që i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.

Shkak për vrasjen dyshohet të jenë bërë mosmarrëveshjet për pazare droge. Sipas hetimeve, autori dhe viktima njiheshin më parë dhe kishin bashkëpunuar në aktivitetin kriminal. Konflikti ka nisur për një pagesë prej 3 mijë eurosh me euro false, në një marrëveshje për shitjen e rreth 100 kg hashash në Elbasan.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve:

Më datë 24.09.2025, rreth orës 03:48, i paraburgosuri Bledar Selmanaj ka tentuar të arratiset. Ai ka dalë përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie. Forcat e sigurisë janë vënë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit është bërë lokalizimi dhe ndalimi i tij.

Gjatë ndalimit, i paraburgosuri ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë së Burgjeve. Aktualisht, ai është i akomoduar në dhomat e veçimit, deri në përfundimin e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Ky shtetas ka tentuar edhe dy herë të tjera të arratiset nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Shqipëri, përmes veprimeve aktive.