Ligji i ri për barazinë gjinore/ Arqimandriti: Kushtetuta ndalon diskriminimin, prandaj termi ‘gjini’ është i domosdoshëm

E ftuar në Ora e Betit në Ora News, aktivistja Mirela Arqimandriti theksoi se drafti i ri për barazinë gjinore po hartohet për herë të tretë dhe se përfshirja e termit “gjini” bazohet në Kushtetutën e Shqipërisë, e cila ndalon çdo formë diskriminimi.

" Ligji për barazinë gjinore po shkruhet për herë të tretë në Shqipëri. Ka qenë një herë dhe është mbyllur shumë shpejt, në vitin 2004.

Pastaj është ligji i vitit 2008, që ka qenë në funksion deri tani. Është dhe ky ligj tjetër i cili është shkruar sepse ligji aktual i barazisë gjinore ka disa mangësi dhe nuk është në përputhje me ligjin si 'Ligji për diskriminimin', 'Kodi elektoral', 'Kodi i punës'.

Pra kishte shumë aspekte që 'Ligji i barazisë gjinore' i mëparshëm nuk i përfshinte.

Është ndërtuar ky ligj dhe ky draft ligji i cili tani është në diskutim, por sigurisht doja të thoja që brenda këtij ligji përveç termit 'gjini' ka një sërë aspektesh të tjera që lidhen me punën, me çështjet e indivuidit në shoqëri, në kuptimin e përfaqësimit të tij politik-shoqëror, të cilat në fakt duhet të ishin tema në kuadrin e diskutimit të lirë të barazisë gjinore si draft që është tani.

Me thënë të vërtetën, në kuadrin e 1000 halleve që ka ky popull, termi 'gjini' për tu përmendur kaq fortë dhe në mënyrë kaq të vazhdueshme në çdo emision televiziv është pak si shumë por megjithatë duhen sqaruar njerëzit sepse ka opinione pro dhe kundër.

Zonja Arta Mandro, një nga ekspertet më të mira ligjore, ka bërë një përshkrim të të gjitha arsyeve se pse është përdorur termi 'gjini' në këtë ligj dhe një ndër arsyet kryesore është Kushtetuta e Shqipërisë e cila e ndalon diskriminimin.

Tani që erdhi radha e ligjit të barazisë gjinore, i cili ka një sërë nenesh për aryse të tjera, sigurisht që duhet të përfshihet dhe kjo sepse termi 'identiteti gjinor' është i përfshirë në ligjin për diskriminimin, por nuk ka pasur një debat të tillë më parë ", u shpreh Arqimandriti.