Zbardhet relacioni i këshilltarëve të PS për Këshillin Bashkiak, arsyet për shkarkimin e Veliajt
Është zbardhur relacioni i këshilltarëve të PS për Këshillin Bashkiak, lidhur me propozimin për shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës.
Në relacion thuhet se prej datës 10 shkurt, Veliaj ndodhet i burgosur dhe se për këtë shkak, kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur dhe të mandatuar nga populli.
Ndër të tjera, theksohet se vendimet dhe dhëniet e zgjidhjeve duhet të merren në dobi të interesit publik dhe atij qytetar.
Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga peronat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
R E L A C I O N
“PËR
PROPOZIMIN E SHKARKIMIT TË KRYETARIT TË BASHKISË TIRANË,
Në vijim të mbledhjes së grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste, datë 17 shtator 2025, ora 17:00, kërkesa nr.31879 prot., datë 18 shtator 2025, është depozituar pranë Sekretariatit të Këshillit Bashkiak Tiranë.
Kërkesa e firmosur nga grupi i këshilltarëve, i referohet Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar, neni 62 gërma c, ku thuhet: “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: c) propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”.
Në kërkesën e sipërcituar, nënvizohet fakti se nga data 10 shkurt 2025 jemi në kushtet në të cilat kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur dhe të mandatuar nga populli i Kryeqytetit për shkak të procesit penal dhe mohimit të së drejtës së tij të gjykimit në gjëndje të lirë. Qytetit të Tiranës me një zhvillim të pandalshëm ekonomik e social, i duhet një kryetar në detyrë, për ndjekjen e punëve, ndaj kjo ka nxjerrë si domosdoshmëri ndërmarrjen e iniciativës nga ana e grupit të këshilltarëve të majtë, për të nisur procedurat për shkarkimin e kryetarit aktual, si një detyrim ligjor, politik dhe moral ndaj qytetarëve, që kanë votuar për të patur një Tiranë më të zhvilluar, me më tepër shërbime cilësore dhe të denjë për të qenë kryeqyteti i Shqipërisë në fundin e rrugës së saj për të qenë pjesë e Europës.
Arsyet dhe nevoja e mësipërme nuk duhet të interpretohen si një pranim ndaj konstantimeve apo pretendimeve të procesit penal ndaj Kryetarit të zgjedhur me votë nga qytetarët e Tiranës, por krejt e kundërta. Anëtarët e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës ngrihen në nivelin që qytetarët e Tiranës presin nga të zgjedhurit e tyre, atë të marrjes së vendimeve dhe dhënien e zgjidhjeve në dobi të interesit publik dhe atij qytetar.
Sa më sipër, lutemi në shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektakti,

