Çipa: Duhej të ishte shmangur imazhi i ditës së sotme në Kuvend, opozita duhej të respektonte aspektet proceduriale

Gazetari dhe analisti, Aleksandër Çipa në një intervistë në Ora News u shpreh se duhej shmangur imazhi i ditës së sotme në parlament.  

Çipa: Kam përshtypjen që në ndërgjegjen e saj politike shumica qeverisëse duke qenë një shumicë e suksesshme në procesin e integrimit europian do duhej ta shmangte një imazh të ditës së sotme në institucionin më të rëndësishëm të politikbërjes dhe të vendmimarrjeve institucionale që është parlamenti.

Do të duhej të kujdesej që të shmangej ky konflikt verbal midis dy palëve dhe aq më tepër të mbërrihej në gjeste të cilat krijojnë një imazh tranzicionist për kulturën dhe për marrëdhënien midis dy kaheve kryesore të politikës.

Kjo nuk ndodhi dhe natyrisht në këtë këndvështrim mendoj se edhe vetë opozita do duhej që ditën e sotme në pikëpamjen formale të respektonte disa prej aspekteve proceduriale që janë të lidhura me ditën e parë të konstituimit të institucioneve të reja në parlamentin e vendit.

Kjo nuk ndodhi dhe se u krijua perceptimi publik se kemi një parlament i cili mund të ketë ndryshuar mandatet për disa individë por në fakt është vazhdimësia e parlamentit të mëparshëm ku kultura dhe përgjegjësia politike për seancat, për rezultatin e tyre dhe për atë çka quhet përfaqësimi parlamentar nuk ka ndryshim fare, përkundrazi është i njëjti imazh i mbetur i qëndrueshëm si nga e djeshmja e një parlamenti të shkuar tek dita e parë e një parlamenti të ri.