Zusi: Integrimi në BE jo vetëm politikë, është detyrim për standarde të barabarta
Ish-zv/ministri i Bujqësisë dhe njëherësh kryetar i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, ishte i ftuar në emisionin “Epiqendër” në Ora News, ku foli mbi sfidat dhe mundësitë që sjell hapja e kapitujve të negociatave për sipërmarrjen shqiptare.
Në bisedë me gazetaren Sonila Musai, Zusi theksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Europian është një transformim i thellë për sektorin ekonomik dhe prodhues në vend.
“Për pjesën e ekonomisë dhe prodhimit, integrimi do të thotë standarde europiane. Ajo që prodhon Franca dhe ajo që prodhon Shqipëria duhet të jetë në të njëjtin nivel. Nuk ka ndryshim në standarde, ndryshon vetëm afati për zbatimin e tyre”, – u shpreh Zusi.
Zusi vuri në dukje se shteti ka përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e produkteve dhe mbrojtjen e konsumatorit, duke ndihmuar bizneset të përshtaten me kërkesat e tregut europian.
Sipas tij, kapitujt e negociatave duhet të kuptohen dhe zbatohen, jo vetëm në nivel institucional, por edhe nga vetë aktorët ekonomikë që synojnë eksportin dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
PËR MË SHUMË, NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR”

