Begaj: Ura bashkëpunimi midis profesionistëve të diasporës dhe institucioneve shqiptare
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në takim përfaqësuesit e shoqatës së kontabilistëve të rinj shqiptarë që veprojnë në Itali, si edhe përfaqësues të shoqatës së kontabilistëve italianë.
Presidenti Begaj përgëzoi iniciativën e të rinjve profesionistë shqiptarë për të kontribuar me potencialin dhe ekspertizën e tyre në Shqipëri, si edhe për krijimin e një ure komunikimi dhe bashkëpunimi midis profesionistëve të diasporës dhe institucioneve shqiptare.
Kreu i Shtetit shfrytëzoi këtë takim për të falënderuar edhe një herë Italinë mike për mirëintegrimin e shqiptarëve në shoqërinë italiane, si edhe për rolin e saj si partneri kryesor tregtar dhe një nga investitorët më të rëndësishëm në vend.
Në fokus të bisedës ishte, gjithashtu konferenca “Shqipëria: Urë Mundësish – Investime Strategjike për të Ardhmen”, e cila do të zhvillohet më 18-19 shtator 2025 në Tiranë, me iniciativë të dy shoqatave.
Kreu i Shtetit shprehu mbështetjen e tij për nisma të tilla që ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Mundësitë që Shqipëria ofron për biznesin italian do të diskutohen më 18 dhe 19 shtator 2025 në Tiranë, në konferencën me temë “Shqipëria, Urë Mundësish – Investimet Strategjike për të Ardhmen”.
Në këtë aktivitet do të jetë një delegacion me mbi 50 biznesmenë italianë, të angazhuar në fusha si turizmi, bujqësia, energjia e rinovueshme dhe start-up-et, të cilët do të njihen nga afër me potencialet e tregut shqiptar.
Konferenca synon të nxisë investime në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare, duke krijuar një hapësirë të dedikuar për diskutime dhe marrëveshje konkrete mbi investimet italiane në Shqipëri.
