VIDEO/ Çudia më e madhe, trajneri i Austrisë kalon fushën me biçikletë në pushimin e ndeshjes

Ndeshja mes Bosnjë Hercegovinës dhe Austrisë në kualifikueset e Kupës së Botës, ka shënuar një moment shumë të veçantë.

Dhe këtu nuk bëhet fjalë as për golin e avantazhit të Dzekos dhe as për ata të Sabitzer dhe Laimer që u dhanë fitoren austriakëve.

Momenti më i veçantë është shënuar në pushimin e ndeshjes mes dy skuadrave, kur ato po i drejtoheshin dhomave të zhveshjeve.

Trajneri i Austrisë, Ralf Rangnik, hipi në një biçikletë elektrike dhe përshkoi fushën e lojës për të shkuar në dhomat e zhveshjeve që gjendeshin në anën tjetër.

Një skenë shumë interesante, që ka një prapaskene shpjeguese po të tillë.

Rangnik pak kohë më parë i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në kavilje dhe ishte udhëzuar që të mos e sforconte shumë këmbën.

Ndaj ai gjetur zgjidhjen me një biçikletë elektrike për të përshkuar fushën e lojës në atë moment kur duhej të shkonte me shpejtësi në dhomat e zhveshjeve për të përgatitur ekipin për pjesën e dytë.