Aksioni opozitar/ Këlliçi: Vendimi pritet të merret nga Kryesia, propozoj edhe një Kuvend të PD për të diskutuar me anëtarësinë

Deputeti i zgjedhur i PD, Belind Këlliçi, deklaroi se zhvillimet e fundit në PD po ecin drejt një vendimmarrjeje të qartë dhe të unifikuar. Ai theksoi se grupi parlamentar po vepron me unitet, ndërsa forumet drejtuese të partisë do të përcaktojnë qasjen politike në vijim.

Kryesia e PD-së pritet të përcaktojë vendimin politik për qëndrimin që do të mbahet në parlament, ndërsa Këshilli Kombëtar do të mblidhet në një moment të dytë për të formalizuar vendimin.

“Unë do të doja që të mbahet edhe një Kuvend i PD-së, që të kemi mundësi të flasim me anëtarësinë dhe elitën e partisë. Jo vetëm për raportin me parlamentin, por edhe për të diskutuar qasjen e PD-së në këtë fazë të re,” tha Këlliçi në emisionin Log. në News24.

Belind Këlliçi: Do të ndodhë ajo që kemi thënë, i mbetet forumeve të vendosë se çfarë do të ndodhë. Grupi shkon me unitet në parlament, si rrallëherë nuk ka rrjedhje bisedash apo diskutimesh nga brenda takimeve. Mbledhjet e brendshme kanë prodhuar shumë debat të brendshëm dhe është pozitive. Kryesia do të përcaktojë vendimin politik për momentin dhe në momentin e dytë do të mblidhet Këshilli Kombëtar.

Unë do të doja që të ketë dhe një kuvend i PD që të kemi mundësi të flasim dhe me anëtarësinë dhe me elitën, në raport jo vetëm me parlamentin sepse kjo mbledhje e së mërkurës do të jetë me marrjen e mandateve apo jo dhe me qasjen që do të ketë PD në parlament. Do të pritet dhe raporti I OSBE-ODIHR dhe do të kemi mbledhjen e forumeve të larta të PD.