Halilaj: Edhe këtë vit shkollor nis mes problematikave, nga mësimi me dy turne te klasat e mbyllura

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Ora News”, zv/presidenti i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Isa Halilaj, ngriti shqetësimin se edhe këtë vit shkollor përsëriten problematika të njohura, që nga lëvizjet paralele e deri tek mungesa e ambienteve mësimore në Tiranë.

" Pothuajse të gjithë mësuesit janë paraqitur në shkollë më datën 25, dy javë para fillimit të mësimit.

Kemi problematikat pothuajse të çdo vitshme. Akoma nuk kanë përfunduar lëvizjet paralele të detyruara dhe lëvizjet paralele me dëshirë dhe nuk janë zëvendësuar vendet vakante.

Gjithsesi shpresoj që deri ditën e parë të shkollës të kryhen këto procedura sepse këto varen pak dhe nga regjistrimet e nxënësve.

Për shembull vitet e fundit kemi pasur klasa që janë mbyllur për shkak të numrit të ulët të nxënësve, ndoshta që në qershor ishin planifikuar të ishin klasa normale.

E gjithsesi problematika ka përsëri, sidomos në Tiranë, pasi vijon mësimi me dy turne për shkak të ndërtimit të shkollave të reja dhe mungesës së ambjenteve.

Ne vazhdimisht kemi kërkuar që arsimi të jetë prioritet kombëtar, por edhe pas zhvillimit të zgjedhjeve dhe në fushatës elektorale nuk është se u artikulua shumë arsimi", u shpreh Haliaj.