Inspektorati i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore bën thirrje për shkak të motit të keq: Të ndalohet puna në kantieret e ndërtimit
Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore njoftoi sot subjektet që operojnë në fushën e ndërtimit që të marrin masat e nevojshme parandaluese në rastet e motit të keq.
“Të gjithë subjektet që operojnë në sektorin e ndërtimit të marrin masat e nevojshme parandaluese në rast të parashikimit të një stuhie ose moti të keq. Siguroni skelat, vinçat, materialet dhe pajisjet në kantier. Hiqni dhe vendosni në vend të sigurt elementët e lirë që mund të shkaktojnë rrezik”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Po ashtu bëhet thirrje për të garantuar mbrojtjen e punëmarrësve duke ndërprerë punimet në kushte të rrezikshme.
“Vendosni shenjat paralajmëruese për sigurinë e të tretëve. Të garantojmë sigurinë e punëmarrësve dhe qytetarëve si dhe të parandalojmë aksidente që mund të ndodhin nga kushtet e papërshtatshme atmosferike”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Gjithë territori i vendit është përfshirë sot nga reshje të dendura shiu, stuhi dhe erë të fortë që në disa raste ka shkaktuar edhe rrëzimin e pemëve.
