Lezhë, autoritetet thirrje qytetarëve për kujdes nga përkeqësimi i motit

Gjithë territori i vendit do të përfshihet në orët në vijim nga moti i keq me reshje të dendura shiu.

Në këtë drejtim autoritetet vendore po paralajmërojnë banorët por edhe pushuesit që të tregojnë kujdes dhe të marrin masat e nevojshme për sigurinë e tyre.

Prefektura e Qarkut Lezhë u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, ndërsa vuri në dispozicion edhe numrat e emergjencës.

“Sipas parashikimeve meteorologjike nga IGEO (Instituti i Gjeoshkencës), sot priten reshje të dendura shiu që parashikohet të nisin në orët e mesditës duke filluar nga ora 13:00. Reshjet intensive mund të shoqërohen edhe me fenomene te pazakonta hidro-meteorologjike”, thuhet në njoftimin e Prefekturës së qarkut Lezhë.

Ndërsa Bashkia Lezhë njoftoi se Emergjencat Civile dhe Shërbimet Publike të bashkisë janë në gatishmëri të plotë për çdo rast.