Në shtigjet e “zanave e kreshnikëve”/ Udhëtim mes bjeshkëve, natyrës së gjallë dhe traditës shekullore

Këtë pamje e këtë përjetim në verë mund ta shijoni vetëm në Bjeshkët e Sjapicës në Tropojë!

Male të larta, rudina të mbushura me lule, ujëra të ftohta e ajër i kristaltë.

Shtrihen në 2000 metra mbi nivelin e detit, në kufi me Plavën e Gucinë.

Jeta është e thjeshtë, por e gjallë.

Shpërthen si vetë natyra: ahet, pisha, bredha e livadhet me lule shumëngjyrëshe.

Strehë gjen në stane me gurë e dru!

Banorët që verojnë atje mbajnë bagëti, mbledhin bimë medicinale dhe kujdesen për kullotat.

Vitet e fundit, Sjapica  është shndërruar në një destinacion të preferuar turistik.

Vizitorët gjejnë këtu ushqim bio, ujë të pastër burimi dhe mikpritjen tipike shqiptare.

“Jam nga Rumania. Vend i mrekullueshëm. Peisazh shume i bukur. Liqeni, majat e maleve. Ushqimi i jashtëzakonshëm. Njerëzit mikpritës.”

Banorët u ofrojnë strehim në stanet e tyre, tregojnë zakone shekullore dhe u japin mundësinë të bëhen pjesë e jetës së përditshme në bjeshkë.

Turizmi ka sjellë burime të reja ekonomike, duke ruajtur njëkohësisht traditën.

Ky stan në kryqëzimin e shtigjeve, është shndërruar në një bazë për të dashuruarit me bukuritë e natyrës shqiptare.

Udhëtarët mund të karikoni aty pajisjet falë energjisë nga panele diellore e mund të shijojnë ushqim e pije.

Në majë të bjeshkës kanë hapur edhe një dyqan për bjeshkatarët e turistët

Por këto bukuri janë të kërcënuara.

Pyllëzimi i shpejtë natyror po zhduk kullotat tradicionale dhe bimët medicinale.

Banorët paralajmërojnë se, me këtë ritëm, brenda 20 vitesh do të zhduken rudinat.

Ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit, që të ruhet ekuilibri mes natyrës dhe jetës së banorëve.

Turistët që përjetojnë magjinë e bjeshkëve shqiptare urojnë që këto pamje të mos ndryshojnë!

Për shekuj këtu janë kënduar këngë kreshnike me lahutën e lashtë e fyellin e bariut duke përcjellë histori trimërie dhe krenarie shqiptare.