FOTO+VIDEO/ Rikthimi i shirave, rrëshqitje gurësh në hyrje të tunelit të Shkopetit, dëmtohet një pjesë e murit mbajtës të rrugës
Pas një periudhe me temperatura të larta, moti ka ndryshuar ndjeshëm duke i lënë vendin reshjeve të dendura të shiut. Këto reshje kanë shkaktuar probleme në rrugën nacionale Burrel–Milot, ku gjatë natës është raportuar një rrëshqitje gurësh në hyrje të tunelit të Shkopetit.
Për pasojë, segmenti rrugor është bllokuar për rreth një orë. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe firma e mirëmbajtjes së rrugës që operon në segmentin Skuraj–Peshkopi.
Këto struktura kanë bërë të mundur pastrimin e gurëve dhe normalizimin e qarkullimit.
Sipas informacioneve paraprake, është dëmtuar edhe një pjesë e murit mbajtës të rrugës, në afërsi të hidrocentralit të Shkopetit.
"Fadroma e firmës kontraktore e mirëmbajtjes, ka nisur largimin e gurëve pranë tunelit të Shkopetit. Gjatë natës reshjet e shiut me intensitet të lartë, kanë shkëputur masive inertesh në aksin e rrugës Skuraj- Burrel, për pasojë është bllokuar ky aks gjatë natës.

Punonjësit e mirëmbajtjes së rrugës dhe mjetet pu punojnë në largimin e gurëve dhe inerteve që bllokuan rrugën mëngjesin e sotëm. Ende punohet për stabilizimin e këtij aksi rrugor, nga rrëshkitjet e inerteve dhe pemëve të rëna në rrugë gjatë natës", njoftojne autoritetet.
