Avokatët e Veliajt vonojnë gjyqin
Avokatët e Erion Veliajt kanë kërkuar shtyrjen e afatit të njohjes me përmbajtjen e akteve dhe provave deri më 24 shtator.
SPAK ka mbyllur hetimet për Veliajn, e ka marrë të pandehur zyrtarisht dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen që përmban 500 faqe akuzë, të shoqëruara nga një dokumentacion mbështetës mjaft voluminoz prej 60 mijë faqesh.
Ligji parashikon një afat 10 ditor për avokatët që të bëjnë kërkesat e tyre. Tashmë janë vetë avokatët që kanë kërkuar shtyrjen e afatit deri më 24 shtator.
Kujtojmë se ditën që u publikua në media lajmi se SPAK kishte marrë të pandehur zyrtarisht Veliajn për 4 vepra të rënda penale dhe kishte mbyllur hetimet ndaj tij, në mediat e pushtetit u tha që është shtyrë për dy muaj afati hetimor. Ndërkohë që nuk ishte një shtyrje e afatit hetimor nga SPAK.
Me sa duket kërkesa ka qenë e avokatëve, por atëherë rrodhi informacioni nga vetë avokatët e Veliajt dhe sot po njihemi me faktin që është kërkuar të shtyhet deri më 24 shtator afati për shqyrtimin e kërkesave, pasi siç pretendohet prej tyre është dosja voluminoze.
“Kjo e bën praktikisht të pamundur përgatitjen e një mbrojtjeje efektive dhe të barabartë (prokuroria ka pasur 2 vite në dispozicion), ashtu siç garantohet nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili kërkon që të pandehurit të kenë kohë dhe mundësi të mjaftueshme për t’u mbrojtur.
Ky disproporcion mes afatit procedural dhe volumit të materialeve është një cenim thelbësor i të drejtës për mbrojtje efektive dhe për proces të rregullt ligjor, që e zhvlerëson të gjithë garancinë procedurale që Kodi i Procedurës Penale dhe Konventa synojnë të mbrojnë. Kjo lloj "përmbytjeje dokumentare" është një formë abuzimi strukturor me të drejtën e mbrojtjes, që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka konsideruar të papranueshme në disa vendime, kur volumi i materialeve i bën të pavlefshme në praktikë garancitë procedurale që duken formalisht të respektuara”, thuhet në kërkesën e avokatëve./ CNA

