VIDEO/ “Mjekë dhe Infermierë për Shqipërinë”,13 profesionistë i bashkohen ekipit të shëndetësisë në Tiranë
13 profesionistë të rinj janë bërë pjesë e sistemit shëndetësor në vend nëpërmjet portalit “Mjekë dhe Infermierë për Shqipërinë”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tha se Ajeta, Laureni dhe Valbona, infermierë dhe fizioterapiste i “bashkohen ekipit tonë të shëndetësisë në terren, nëpërmjet portalit “Mjekë dhe Infermierë për Shqipërinë”, me transparencë dhe meritokraci”.
Koçiu nënvizoi se “në thirrjen e tretë për teknike të shkencave mjekësore, janë përzgjedhur 8 infermierë dhe 5 fizioterapistë që do të shërbejnë në rajonin e Tiranës, duke forcuar edhe më tej modelin e kujdesit të ofruar pranë qytetarëve”.
“Suksese në këtë mision human dhe kaq të nevojshëm për komunitetin”, nënvizoi ministrja.
Vetë kandidatët fitues folën për eksperiencën e tyre, duke theksuar se çdo gjë ishte transparente.
“Unë jam Ajeta Cake, kam konkurruar si infermiere në portalin Infermierë për Shqipërinë Erdha këtu për të vijuar me përzgjedhjen. Ishte çdo gjë transparente dhe u përzgjodha për qendrën shëndetësore Petrelë”, tha Cake.
“Unë jam Lauren Përtafi, kandidova në portalin Infermier për Shqipërinë dhe fitova për pozicionin në qendrën shëndetësore Paskuqan, përshtypjet e mia janë shumë të mira”, u shpreh Përtafi.
“Quhem Valbona Nela kam mbaruar fizioterapi kam aplikuar në portalin infermierët për Shqipërinë kam fituar në Qendrën Shëndetësore në Ndroq për Fizioterapi”, tha Nela.

