Neziri: Bashkimi i konsumatorëve dhe shoqatave fuqizon ndikimin ndaj institucioneve
Klotilda Neziri, nga Sektori i Edukimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ishte e ftuar në emisionin “Alert”, i moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, në kuadër të temës “Konsumatorët, ankesat dhe fuqizimi i OSHC-ve lokale”.
Neziri tha se duhet të kuptojmë që vetë ligji për mbrojtjen e konsumatorit e orienton konsumatorin drejt shoqatave, dhe kjo do të thotë që shoqatat e mbrojtjes së konsumatorit janë shumë të rëndësishme në treg.
"Vetë legjislacioni i thotë konsumatorit: nëse ke një ankesë, një problematikë që të shqetëson, mund t’i drejtohesh edhe këtyre shoqatave. Fuqizimi i shoqatave në Republikën e Shqipërisë për çështjet e konsumatorit është shumë i rëndësishëm.
Nëse do të kemi shoqata të fuqizuara, sigurisht edhe roli i konsumatorit do të jetë më i fortë në treg", tha ajo.
Neziri theksoi nga përvoja e saj se, kur dy zëra bashkohen – konsumatori dhe shoqata – dëgjueshmëria e institucioneve është më e lartë.
Ajo vlerësoi projektin si shumë të rëndësishëm:
"Ky projekt kur e kam njohur për herë të parë, e kuptova që ishte në momentin e duhur dhe me të gjitha planet e bëra".
“Ne si politikëbërës e kemi shumë të qartë se fuqizimi i rolit të shoqatave është prioritet edhe në BE. Për ne është bërë primare përfshirja apo inkurajimi i tyre për të trajtuar çështjet e konsumatorit", u shpreh Neziri.
Ajo theksoi se takimet e para janë realizuar, por nuk duhet të ndalen:
“Rrjeti duhet të jetë i qëndrueshëm. Kishim fatin që në këto takime bashkuam pushtetin vendor me shoqatat që ishin pjesë. Këto dy komponentë, në zonat e tyre, në qytetet e tyre, mund të bëjnë gjëra që i vijnë në ndihmë vetes, qytetarëve dhe të gjithë konsumatorëve.
Të jenë një rrjet i qëndrueshëm dhe me përfaqësues të bashkive përkatëse, do t’i vijë më shumë në ndihmë konsumatorit shqiptar.”
