Teliti: Mungesa e informacionit dhe besimit, sfidë për zgjidhjen e ankesave të konsumatorëve
Në emisionin ALERT, të moderuar nga Granit Sokolaj në ORA NEWS, e ftuar Ersida Teliti, Drejtore e “Qendrës Konsumatori Shqiptar”.
Ajo foli për trajnimet e zhvilluara në Tiranë, Korçë dhe Shkodër, që kanë për qëllim fuqizimin e aktorëve të shoqërisë civile në fushën e mbrojtjes së konsumatorit për produktet ushqimore dhe jo ushqimore.
Teliti tha se fuqizimi i shoqërisë civile në këtë fushë është një nga komponentët më të rëndësishëm, që theksohet edhe në kuadër të Bashkimit Europian.
Por, ajo shtoi se, në dallim nga fushat e tjera ku veprojnë organizatat e shoqërisë civile, mbrojtja e konsumatorit është shumë specifike dhe organizatat që punojnë në këtë drejtim nuk janë të fuqishme dhe as të shumta në numër.
“Pjesa më e madhe e organizatave, veçanërisht ato lokale, janë në mungesë informacioni lidhur me kuadrin ligjor të mbrojtjes së konsumatorit, institucionet që janë përgjegjëse, mënyrën si veprojnë, si drejtohen ankesat dhe si mund të dërgohen,” tha Teliti.
Gjatë trajnimeve në Tiranë, Korçë dhe Shkodër, ajo vuri re se shumë pjesëmarrës dyshojnë në efektivitetin e institucioneve shqiptare dhe në se ato veprojnë pas dërgimit të ankesave.
Sipas saj, ky është një perceptim ose paragjykim bazuar shpesh në informacion të përgjithshëm që jepet edhe nga mediat.
“Media, përveç që jep opinionin e përgjithshëm, shpesh nuk ofron informacion të plotë dhe të saktë mbi mënyrën reale se si funksionon procesi i trajtimit të ankesave. Ky perceptim ndikon gjithmonë në fushën e mbrojtjes së konsumatorit,” shpjegoi ajo.
Teliti theksoi se në të tre qytetet pati një nivel shumë të lartë pjesëmarrjeje dhe interes të madh për të kuptuar jo vetëm detyrimet që ka Shqipëria në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, por edhe mënyrën praktike si të veprohet kur lind një problem konkret lidhur me mbrojtjen e konsumatorit.
“Është shumë e rëndësishme të dihet cili institucion është përgjegjës, çfarë fushe kompetencash ka dhe si mund të adresohen ankesat konkrete,” tha ajo.
Në këto trajnime morën pjesë edhe përfaqësues të pushtetit vendor, duke diskutuar lidhjen dhe kufijtë e kompetencave midis pushtetit qendror dhe atij vendor në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.
