ANALIZA/ Një "zhytje" në biznesin e pishinave në Shqipëri
Tregu i pishinave në Shqipëri po shfaq shenja zgjerimi, i nxitur nga rritja e turizmit dhe interesit për mirëqenie. Nga një luks për pak veta, pishinat po bëhen pjesë e kërkuar në bujtina, resorte dhe vila.
Megjithatë, mungesa e specializimit dhe kostot e larta mbeten sfida kryesore. Potenciali për zhvillim është i madh, veçanërisht në një klimë me turistë në rritje dhe investime në infrastrukturë…
Disa dekada më parë, pishinat ishin privilegj i pak njerëzve. Sot, ato po shndërrohen në një komponent të kërkuar jo vetëm për shtëpitë luksoze, por edhe për bujtinat, resortet turistike dhe bizneset që investojnë në mirëqenie dhe përvojë.
Tregu i pishinave është ende i vogël në Shqipëri, por sinjalet e kërkesës në rritje dhe risi teknologjike po e bëjnë këtë sektor gjithnjë e më interesant për sipërmarrje.
Sipas të dhënave ndërkombëtare, tregu i pishinave pritet të rritet nga 3.54 miliardë dollarë në vitin 2025 në 3.9 miliardë në vitin 2029, me rritje vjetore mesatare 2.5%.
Zhvillimi i sektorit të turizmit, rritja e interesit për hapësirat e jashtme të banimit dhe trendet e mirëqenies kanë qenë motorët kryesorë të këtij zhvillimi.
Në Shqipëri, përveç zonave tradicionale turistike përgjatë bregdetit, po vihet re një rritje graduale e interesit për pishina edhe në zonat periferike të qyteteve të mëdha si Tirana, Durrësi.
Trendi po ndikohet nga ndërtimi i vilave individuale, komplekseve rezidenciale dhe rritja e kërkesës për përvoja rekreative dhe mirëqenieje nga shtresa të mesme të popullsisë.
Sektori i pishinave mbetet megjithatë ende i pazhvilluar dhe përballet me një sërë pengesash strukturore.
Sipas të dhënave të marra në treg, aktualisht nuk ka një strukturë të qartë institucionale që certifikon profesionistë në ndërtimin, mirëmbajtjen apo dizajnin e pishinave.
Shumica e shërbimeve ofrohen shpesh edhe nga kompani ndërtimi që nuk janë të specializuara në këtë fushë, duke ndikuar në cilësinë dhe sigurinë e punimeve. Trajnimet janë sporadike dhe zakonisht kryhen jashtë vendit, duke e vështirësuar hyrjen në treg të aktorëve të rinj.
Një nga problematikat aktualisht lidhet me koston e lartë për ndërtim dhe mirëmbajtje. Krijimi i një “akademie noti” apo i një mjedisi të specializuar për përdorim publik kërkon investime të konsiderueshme.
Kjo përfshin trotuaret mbrojtëse, dhomat e zhveshjes, pajisje filtrimi, sistemet e ngrohjes dhe personelin e licencuar. Vetëm për trajnimet e stafit teknik, kostoja shkon deri në 500?euro për person për certifikim pesëvjeçar.
Ndërkohë, ndërtimi i një pishine me standarde europiane mund të shkojë nga 20,000 deri në 50,000 euro, në varësi të materialit dhe dizajnit.
Rritja e kostove të ndërtimit në Shqipëri, e ndikuar nga rritja e çmimeve të materialeve dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, ka bërë që investimi në një pishinë të mos jetë më “luksi i lirë” i Ballkanit.
Shpesh, çmimet për ndërtimin e një pishine janë të njëjta ose më të larta se ato në Greqi apo në Itali për të njëjtën sipërfaqe.
Potenciali i tregut është i padiskutueshëm. Shqipëria regjistroi 11.7 milionë turistë në vitin 2024, një rekord historik dhe pritet që ky numër të vazhdojë të rritet.
Mbi 360 km vijë bregdetare, së bashku me një rritje të dukshme të investimeve në turizmin malor dhe rural, e bëjnë vendin të përshtatshëm për zgjerimin e shërbimeve të relaksit dhe përmirësimit të përvojës së vizitorëve, ku pishinat janë një element kyç.
Ndërkohë, investimet publike në infrastrukturë, si zgjerimi i rrugëve, aeroportet rajonale dhe përmirësimi i aksesit në zonat turistike kanë rritur kërkesën për struktura akomoduese me standarde të reja.
Kjo e bën integrimin e pishinave në resorte, bujtina apo vila për përdorim të përbashkët një vlerë të shtuar jo vetëm për turistët, por edhe për vetë zhvilluesit e tregut.
Bazuar në të dhënat nga aktiviteti i kompanive “Solaris” dhe “Hidrosolar”, tregu i ndërtimit të pishinave në Shqipëri po njeh rritje të qëndrueshme vitet e fundit, i ndikuar nga rritja e ndërtimit të vilave në periferi, zhvillimit të turizmit dhe përmirësimit të standardeve të jetesës.
Sipas “Solaris”, e cila operon në bashkëpunim me “Powatec” (një nga markat gjermane më të specializuara për pishina), ka pasur rritje të ndjeshme të projekteve për ndërtimin e pishinave si për sektorin privat, ashtu edhe për subjekte turistike.
“Kërkesa vjen kryesisht nga individë që ndërtojnë vila në zonat e Tiranës, Durrësit dhe bregdetit jugor, si dhe nga hotele, resorte dhe ‘guesthouse’ që duan të shtojnë vlerën e akomodimit”, – pohojnë nga kompania.
Sipas tyre, pishinat më të kërkuara për banesa private janë ato me sistem “skimmer”, të cilat janë më ekonomike dhe më të lehta për mirëmbajtje.
Ndërsa për subjektet komerciale, si resortet apo qendrat SPA, kërkohet gjithnjë e më shumë sistemi “overflow”, që ofron përvojë estetike dhe funksionale më të lartë, si dhe përputhje me standardet e BE-së për përdorim publik.
Kostot për ndërtimin e një pishine ndryshojnë ndjeshëm në varësi të teknologjisë, materialeve dhe sistemit të filtrimit të përzgjedhur.
Sipas “Hidrosolar”, ndërtimi i një pishine të zakonshme me përmasa mesatare (rreth 8×4 metra) mund të nisë nga 10,000–15,000 euro, ndërsa projektet më të sofistikuara që përfshijnë sisteme ndriçimi LED, mbulesa automatike dhe sisteme dozimi inteligjent, mund të arrijnë në 25,000–30,000 euro.
Kostot për ndërtimin e një pishine ndryshojnë ndjeshëm në varësi të teknologjisë, materialeve dhe sistemit të filtrimit të përzgjedhur. Sipas “Hidrosolar”, ndërtimi i një pishine të zakonshme me përmasa mesatare (rreth 8×4 metra) mund të nisë nga 10,000–15,000 euro, ndërsa projektet më të sofistikuara që përfshijnë sisteme ndriçimi LED, mbulesa automatike dhe sisteme dozimi inteligjent, mund të arrijnë në 25,000–30,000 euro.
Të dyja kompanitë theksojnë se ndërtimi i një pishine nuk është vetëm një luks, por një investim që rrit vlerën e pronës, sidomos në zonat turistike. Pishinat janë kthyer në një kërkesë gjithnjë e më të zakonshme nga blerësit e banesave të reja.
Ende nuk “notohet thellë”
Në Shqipëri, pishinat vazhdojnë të jenë kryesisht të lidhura me zonat turistike bregdetare, veçanërisht në Jug, ku hotelet dhe resortet përgjatë rivierës i kanë përfshirë në paketën e tyre të shërbimeve për të tërhequr klientë të huaj me standarde më të larta akomodimi.
Megjithatë, panorama po ndryshon. Së fundmi është rritur ndjeshëm kërkesa edhe në zonat periferike të qyteteve të mëdha si Tirana, Durrësi, Vlora dhe Shkodra, ku ndërtimi i vilave individuale ose komplekseve rezidenciale me pishina private po bëhet një trend në rritje.
Kjo ndodh si pasojë e zhvendosjes urbane, shtimit të të ardhurave për një pjesë të popullsisë dhe ndikimit të trendeve ndërkombëtare për “outdoor living”.
Në treg aktualisht operojnë disa kompani vendase, të cilat ofrojnë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e pishinave. Shumica e tyre ofrojnë produkte standarde, të importuara, që përfshijnë pishina me strukturë betoni ose fibra xhami, me çmime që fillojnë nga 15,000 deri në 50,000 euro, në varësi të përmasave dhe teknologjisë së përdorur (si p.sh. sistemet automatike të filtrimit, ngrohja e ujit apo ndriçimi LED).
Pavarësisht këtij zhvillimi të fragmentuar, segmenti mbetet ende i pazhvilluar në raport me potencialin real të vendit, sidomos në raport me turizmin dhe ndërtimin e banesave të reja.
Të dhënat më të fundit nga INSTAT tregojnë se në vitin 2023 janë dhënë mbi 1,500 leje ndërtimi për banesa individuale vetëm në Qarkun e Tiranës – një pjesë e madhe e të cilave janë në zonat periferike, si Farka, Lundra, Petrela apo Mulleti, ku pishinat shpesh përfshihen si pjesë e projektit ndërtues.
Në zonat turistike, nga Jugu deri në bregun verior të Lezhës, një pjesë e hoteleve dhe bujtinave të reja që po ndërtohen pas pandemisë po përfshijnë pishinat si “element vendimtar” për të qenë konkurrues në tregun ndërkombëtar të platformave si Booking apo Airbnb.
Resortet në ndërtim ose në zhvillim, si ato në zonën e Palasës, Dhërmiut, Gjirit të Lalëzit apo Thethit, shpesh promovohen me pishina panoramike, të ngrohta apo me dizajn natyral (eco-pools), për të tërhequr turistë me interes në mirëqenie dhe përvoja unike.
Në mungesë të një sistemi të përqendruar tek të dhënat për pishinat nuk ka statistika zyrtare nga INSTAT apo ALUIZNI për numrin e saktë të pishinave të ndërtuara në Shqipëri, por trendi mund të vërehet nëpërmjet projekteve të lejeve të ndërtimit të bashkive, ku shumë vila individuale dhe struktura turistike aplikojnë për pishina si pjesë e projektit.
Në Bashkinë e Tiranës, për shembull, një pjesë e lejeve të dhëna në vitin 2023-2024 për komplekse vilash përfshijnë edhe ndërtimin e pishinave të përbashkëta apo individuale.
Sidoqoftë, mungesa e një strategjie të qartë për këtë sektor, mungesa e lehtësive specifike dhe kostot e larta të ndërtimit dhe mirëmbajtjes po bëjnë që tregu i pishinave në Shqipëri të ecë me hapa të ngadaltë, pa e shfrytëzuar ende potencialin që ofron kombinimi i turizmit gjithëvjetor, ndryshimeve të klimës dhe kërkesës për alternativa çlodhjeje dhe mirëqenieje në hapësira private apo gjysmëprivate.
Një biznes sezonal, por me rikthim
Edhe pse i lidhur ngushtësisht me muajt e verës, ndërtimi dhe menaxhimi i pishinave po rezulton një biznes gjithnjë e më i qëndrueshëm në Shqipëri. Pas pandemisë dhe kufizimeve të lëvizjes, kërkesa për pishina, si në përdorim privat ashtu edhe komercial, është rikthyer me ritme të larta.
Kjo është reflektuar jo vetëm në shtimin e ndërtimeve të reja, por edhe në rritjen e investimeve nga komplekset turistike dhe resortet e mëdha që operojnë gjatë sezonit veror.
Në hartën e bizneseve që kanë investuar ndjeshëm në pishina dhe infrastrukturë bien në sy emra si “Equos Resort” në Baldushk, i cili ka kombinuar pishinat me agroturizmin dhe aktivitetet natyrore, apo “Palma Nova Resort”, që ofron përvojën e një pishine familjare me ambiente relaksi dhe gastronomi.
Edhe komplekse si “Flumen Park” në Ibë dhe “Delta Pool Complex” në Sauk janë shndërruar në pika të frekuentuara të fundjavës për familje dhe të rinj.
Ndërkohë, “Aquapark Tirana”, një ndër investimet më të mëdha të këtij lloji pranë Tiranës, ka sjellë një koncept më afër “water park”-ut modern europian, me rrëshqitëse të mëdha dhe mjedise argëtimi për të gjitha moshat.
Në të njëjtën linjë, edhe “Select Hill Resort”, në periferi të Tiranës, ka shtuar pishinat në paketën e vet të shërbimeve, duke e bërë të frekuentuar nga të huaj dhe vendas.
Këto biznese funksionojnë me cikël sezonal, por ndikimi i tyre ekonomik është i ndjeshëm, gjenerojnë punësim të përkohshëm, rrisin frekuentimin në zonat përreth dhe ofrojnë alternativa argëtimi për një qytet që në verë kërkon gjithnjë e më shumë “freski” dhe pushim afër.
Çmimet për hyrje apo përdorim të pishinave në këto komplekse ndryshojnë, në varësi të shërbimeve dhe nivelit të cilësisë.
Në “Equos Resort”, një ndër më të mëdhenjtë në vend, çmimi për hyrje ditore në sezonin veror varion zakonisht nga 1,000 deri në 1,500 lekë për të rriturit, ndërsa për fëmijët ofrohen shpesh tarifa të reduktuara ose paketa familjare.
Përveç pishinës, vizitorët përfitojnë akses edhe në ambientet e tjera si programet artistike, zonat e lojërave dhe shërbimet e restorantit e barit pranë pishinës.
Ndërkohë, “Flumen Park”, me konceptin e tij më të qetë dhe të lidhur me natyrën, mban çmime të ngjashme për ditët e zakonshme, por me rritje të lehtë gjatë aktiviteteve të posaçme.
Hyrja përfshin qëndrimin në ambientet e parkut, por shërbime shtesë si qiratë e vilave apo ushqimi nuk përfshihen në biletën standarde.
Në “Aquapark Tirana”, çmimet janë zakonisht 1,200–1,800 lekë për person, në varësi të moshës dhe ditës së javës, duke përfshirë përdorimin e të gjitha pishinave dhe rrëshqitëseve.
Fëmijët nën një moshë të caktuar (zakonisht 3 vjeç) hyjnë falas, ndërsa ofrohen edhe paketa familjare apo zbritje për grupe të mëdha.
“Select Hill Resort”, që synon segmentin e mesëm – të lartë të tregut, ofron pishina me pagesë të veçuar nga akomodimi dhe çmimet për hyrje në pishinën e jashtme në sezonin e verës janë rreth 1,500 deri në 2,000 lekë për person, duke përfshirë shezlong, peshqirë dhe mjedise çlodhëse.
Në të gjitha rastet, fundjavat dhe sezoni i lartë (korrik-gusht) shoqërohen me tarifa më të larta, ndërsa në ditët e javës aplikohen shpesh zbritje ose oferta për tërheqjen e vizitorëve.
Kjo strukturë tarifimi tregon se përdorimi i pishinave nuk është më luks i pakicës, por një alternativë edhe për pushuesit urbanë dhe familjet që nuk kanë mundësi të udhëtojnë gjatë çdo fundjave në bregdet apo duan të shmangin trafikun e autostradës.
Roli i influencuesve dhe përmbajtjes vizuale në rrjete
Rritja e popullaritetit të resorteve me pishina në Shqipëri nuk lidhet vetëm me rritjen e kërkesës për relaks në verë, por edhe me ndikimin në rritje të influencuesve dhe përmbajtjes vizuale në rrjetet sociale.
Platforma si Instagram dhe TikTok kanë shërbyer si katalizatorë të fuqishëm për promovimin e këtyre ambienteve, ku çdo cep i dizajnuar me kujdes dhe çdo moment argëtimi shndërrohet në përmbajtje virale.
Influencuesit publikojnë video dhe foto që jo vetëm prezantojnë vendndodhjen, por edhe i japin asaj një identitet vizual dhe emocional, një përvojë që të tjerët duan ta ripërjetojnë.
Për rrjedhojë, shumë biznese kanë filluar të investojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në elemente që “fotografohen bukur”, si pishina me formë të pazakontë, shezlongë të stilit boho, rrjetë lundruese, dekor veror me lule apo detaje të tilla si “floating breakfast” dhe kokteje tropikale që duken mirë në kamera.
Shumë prej komplekseve organizojnë shfaqje tematike, festa në pishinë dhe koncerte, të cilat më pas shndërrohen në materiale për promovim organik falë postimeve të vizitorëve.
Sipas komunikimit me bizneset, ky ndërveprim mes përmbajtjes vizuale dhe aktivitetit turistik ka bërë që strategjia e marketingut të zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt krijimit të përvojës “Instagrammable”, ku shërbimi është i rëndësishëm, por imazhi është shpesh vendimtar për zgjedhjen e destinacionit.
Ata pohojnë se në një treg gjithnjë e më konkurrues, prania në rrjete sociale dhe bashkëpunimi me influencues është bërë një nga mjetet më efektive të pozicionimit dhe diferencimit për resortet që operojnë në tregun e pishinave në Shqipëri.
Problematikat e bizneseve të pishinave
Kostoja fillestare e lartë
Marzhet e fitimit (ndërtimi, mirëmbajtja, shitja e pajisjeve)
Nevoja për staf teknik dhe trajnime
Sezonaliteti dhe ruajtja e likuiditetit
Trendet që po e transformojnë tregun
Inovacionet në dizajn, mirëmbajtje dhe eficiencë energjetike po rrisin interesin për pishinat si produkte funksionale dhe estetike. Klientët kërkojnë më shumë: sisteme automatike për pastrimin e ujit, dizajne ekologjike, e madje edhe burime alternative uji (shi, riciklim).
Ka kërkesa në rritje nga klientët privatë për:
Pishinat ekologjike (natural pools)
Pishinat me panele modulare për shtëpi të vogla
Bashkëpunim me arkitektë dhe studio dizajni
Tregu i pishinave në vitin 2025 dhe norma e rritjes
Tregu i pishinave ka shënuar rritje të lehtë vitet e fundit. Ai pritet të rritet nga 3.52 miliardë dollarë në vitin 2024 në 3.54 miliardë dollarë në vitin 2025, me një normë mesatare vjetore të rritjes prej 0.7%.
Kjo rritje historike lidhet me zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, trendet në fushën e argëtimit dhe relaksit, preferencat për luks dhe stil jete, vetëdijen për shëndetin dhe mirëqenien, si dhe zgjerimin e industrisë së mikpritjes.
Parashikimi për rritjen e tregut të pishinave
Tregu i pishinave pritet të shënojë rritje të qëndrueshme në vitet e ardhshme. Ai do të arrijë në 3.9 miliardë dollarë në vitin 2029, me një rritje prej 2.5%.
Rritja gjatë kësaj periudhe do të nxitet nga kërkesa e vazhdueshme për pasuri të paluajtshme, fokusi në mirëqenie dhe aktivitet fizik, urbanizimi dhe shtimi i popullsisë, hapësirat e jashtme për jetesë, si dhe zgjerimi i turizmit dhe sektorit të mikpritjes.
Ndër trendet kryesore në këtë periudhë parashikohen: rritja e përdorimit të produkteve natyrale dhe organike për mirëmbajtjen e pishinave, projektimi i pishinave kompakte dhe që kursejnë hapësirë, përfshirja e elementeve për shëndet dhe mirëqenie në dizajnin e pishinës, bashkëpunimet për ndërtimin e qëndrueshëm të pishinave dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i burimeve alternative të ujit për to./ Monitor




