Gjipali: Informimi i qytetarëve për të drejtat e konsumatorit, thelbësor në procesin e integrimit
Në emisionin ALERT, të moderuar nga Granit Sokolaj në ORA NEWS, ishte i ftuar Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA).
Ai foli mbi aktivitetin trajnues të zhvilluar më 14 maj në Tiranë, me fokus mbi mbrojtjen e konsumatorit dhe sfidat e procesit.
Gjipali theksoi se çështjet e mbrojtjes së konsumatorit nuk janë të thjeshta.
"Ankesat janë të ndryshme dhe të shumta, por shumë rëndësi ka njohja e mënyrës se si mund të trajtohen këto ankesa dhe cilat janë autoritetet përgjegjëse.
Nuk ka vetëm një autoritet qendror, por disa institucione që mbikëqyrin shërbime dhe produkte të ndryshme," tha ai.
Ai shtoi se legjislacioni për mbrojtjen e konsumatorit është në një fazë dinamike për shkak të procesit të integrimit europian.
Hapja e kapitujve dhe grup-kapitujve në këtë proces kërkon informacion specifik dhe rritje të kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për t’u përballur me këto sfida.
"Roli i shoqërisë civile është shumë i rëndësishëm, pasi ajo shërben si një mjet informimi që arrin drejtpërdrejt te qytetarët, sidomos kur ka ndryshime ligjore.
Informacioni për zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore është thelbësor për mbrojtjen e konsumatorit," theksoi Gjipali.
Ai nënvizoi edhe rëndësinë e medias në përhapjen e informacionit në mënyrë të shpejtë dhe efektive, duke theksuar se bashkëpunimi midis medias dhe organizatave civile rrit cilësinë dhe ndikimin e informacionit te qytetarët dhe konsumatorët në përgjithësi.
Ky ishte edhe motivi i organizimit të aktiviteteve trajnues, duke filluar nga Tirana, ku u trajtuan tema të ndryshme mbi legjislacionin europian dhe detyrimet që rrjedhin për institucionet, bizneset dhe operatorët e tjerë në vend.
Gjipali përfundoi duke vënë në dukje se mbrojtja e konsumatorit është një çështje që prek gjithë shoqërinë, pasi të gjithë jemi konsumatorë.
