Tozaj: Informimi përmes Linjës së Gjelbër sjell konsumatorë më të mbrojtur
Në emisionin “Alert”, i moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u diskutua për “Linjën e Gjelbër”, një shërbim që funksionon prej më shumë se gjashtë muajsh dhe synon të ofrojë një pikë kontakti gjithëpërfshirëse për qytetarët në të gjithë Shqipërinë për çështjet e mbrojtjes së konsumatorit.
Klajdi Tozaj, Koordinatori i Projektit në Qendrën ALERT, shpjegoi se
“Linja e Gjelbër ka krijuar idenë që çdo individ, çdo qytetar, kudo në Republikën e Shqipërisë të ketë një linjë ku mund të marrë informacion dhe të adresojë çdo problematikë.
Deri dje, institucionet kishin linjat e tyre të veçanta, por kjo shpesh krijonte vështirësi për qytetarët. Linja e Gjelbër u mundëson konsumatorëve të gjejnë adresimin e problemeve në mënyrë të përqendruar dhe më të lehtë.”
Ai theksoi se problematika kryesore që janë identifikuar lidhen me mungesën e informacionit nga qytetarët dhe nga operatorë ekonomikë, të cilët shpesh nuk janë të informuar në lidhje me detyrimet ligjore ose shmangin përgjegjësitë e tyre.
“Tozaj theksoi se Qendra ALERT ofron asistencë dhe ndërmjetësim për të ndihmuar ndërgjegjësimin e të dy palëve, konsumatorit dhe operatorit ekonomik, duke synuar një bashkëpunim më të mirë për zgjidhjen e problemeve,” u shpreh ai.
Ai përfundoi duke nënvizuar se qëllimi i projektit është që të vazhdojë me angazhim për të informuar dhe mbrojtur konsumatorët, pasi “nëse kemi njerëz më të informuar, kemi konsumatorë më të mbrojtur dhe zgjidhje më efektive për problemet.”
