Linja e Gjelbër: Mbrojtje dhe zgjidhje për konsumatorët
Këtë të premte, në emisionin ALERT në ORA NEWS, u trajtua tema “Linja e Gjelbër në shërbim të konsumatorëve”.
Emisioni, i moderuar nga Granit Sokolaj, vjen në bashkëpunim me projektin “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit”, i cili zbatohet nga EMA në Tiranë dhe nga Qendra ALERT në gjashtë qytetet e tjera të vendit.
Projekti synon të forcojë mekanizmat e mbrojtjes së konsumatorit dhe përfshin Linjën e Gjelbër falas 0800 26 26, përmes së cilës qytetarët mund të raportojnë problematika dhe shkelje që lidhen me të drejtat e tyre si konsumatorë.
Më 14 maj u zhvillua në Tiranë trajnimi i parë mbi mbrojtjen e konsumatorit në ambientet e Europe House, me pjesëmarrjen e shoqërisë civile, institucioneve shtetërore dhe pushtetit vendor.
U njoftua krijimi i një rrjeti me 20 organizata nga e gjithë Shqipëria për bashkëpunim në nivel lokal.
Po ashtu, është ngritur një databazë me 124 përfaqësues nga 61 bashki, të cilët do të ofrojnë mbështetje për qytetarët.
Aktivitete të ngjashme janë zhvilluar edhe në Fier më 10 qershor, në Korçë më 30 qershor dhe në Shkodër më 3 korrik.
Në fokus të emisionit do të jenë edhe Kapitulli 28 dhe Kapitulli 12 të acquis së BE-së, që lidhen me mbrojtjen e konsumatorit dhe sigurinë ushqimore.
Na ndiqni në ORA NEWS, për t’u informuar më shumë.
