VIDEO/ Laboratorë të teknologjisë së avancuar në UST, Manastirliu: Shërbejnë dhe për sportistët elitarë
Investimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në laboratorët e teknologjisë së avancuar në Universitetin e Sporteve, kanë krijuar kushte të reja për kërkimin shkencor dhe përgatitjen e sportistëve elitarë të vendit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në një nga laboratorët e rinj, theksoi se këto investime janë pjesë e një strategjie të gjerë për të mbështetur si aspektin akademik, ashtu edhe atë sportiv.
“Investimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në laboratorët e teknologjisë së avancuar në Universitetin e Sporteve po i shërbejnë jo vetëm procesit akademik dhe kërkimit shkencor, por edhe testimeve fizike të sportistëve tanë elitarë, për t’i ndihmuar ata në parapërgatitjet e tyre dhe përfaqësimin sa më dinjitoz në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se teknologjia moderne që po instalohet u jep trajnerëve të dhëna të detajuara për gjendjen fizike të sportistëve, duke e bërë të mundur përgatitjen sa më të mirë për aktivitete kombëtare e ndërkombëtare.
Ministrja nënvizoi rëndësinë e laboratorëve për zhvillimin akademik dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve.
“Fakti që ne sot kemi pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë tregon që jo vetëm kemi mundësi që të ofrojmë shërbime direket për sportistët tanë elitarë, të përgatitemi edhe për Lojërat Olimpike të Los Anxhelsit në mënyrë të strukturuar tashmë duke i dhënë trajnerëve të sportistëve tanë të gjithë parametrat fizikë që ata të kenë performancë sa më të mirë në aktivitet e tyre kombëtare, ndërkombëtare dhe deri tek lojërat olimpike. Gjithashtu të kemi mundësi që të zhvillohemi edhe për sa i përket aspekteve akademike dhe kërkimit shkencor duke krijuar mundësinë e ndërkombëtarizmit. Shqipëria ka mundësi që të zhvillohet në fushën e inovacionit dhe këtu rol të rëndësishëm luajnë universitete si dhe bashkëpunimi që universitet kanë më institucionet ndërkombëtare partnere”, u shpreh Manastirliu.
Sipas ministres, investimet janë bërë nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor, teksa shtoi se vetëm për vitin 2025 janë financuar katër projekte, ndërsa pritet që mbështetja të zgjerohet në universitetet e tjera të vendit.
Ministrja shtoi se në fokus janë edhe investimet në terrenet sportive të shkollave.
“Ky është një prej laboratorëve që ne kemi investuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor. Çdo vit ne investojmë, në vazhdim janë 4 projekte të cilat janë mbështetur financiarisht në vitin 2025, në këto dy cikle. Do të vijojmë në të gjitha këto universitete, por edhe me investimet që jemi duke bërë në terrene sportive në shkolla, në Universitetin e Sportit dhe gjithashtu në tërësi për injektimin e frymës së direktivës sportive në shkolla që KOKSH është duke punuar fort edhe në raport më shtrirjen e disiplinave të reja sportive, krijon mundësinë që ne investimet t’i çojmë aty ku duhet për të bërë masivizimi i sportit dhe për të pasur një jetë sa më të shëndetshme për gjeneratat tona të reja”, tha Manastirliu.

