Di María rikthehet në Rosario Central: Kjo vlen më shumë se gjithçka që kam fituar

Ángel Di María është rikthyer zyrtarisht te Rosario Central, klubi ku nisi karrierën e tij si futbollist profesionist.

Pas 18 vitesh, kampioni i botës dhe ish-‘yll’ i Benfica-s, Real Madridit, PSG-së dhe Juventusit, është prezantuar me emocion të madh në shtëpinë e tij të parë, mes lotëve dhe duartrokitjeve të shumta.

Në konferencën për shtypin, ku ishte i pranishëm edhe presidenti Gonzalo Belloso, Di María u shpreh: “Jam shumë krenar për gjithçka që kam arritur në karrierën time, por ky rikthim është më i rëndësishëm se çdo trofe.

Është një ëndërr që më në fund po e jetoj.”

Emocionet e tij shpërthyen në lot ndërsa falënderonte familjen dhe tifozët.

Përveç karrierës së lavdishme në Evropë, Di María theksoi se kishte një objektiv të fundit: “Më mungon një gjë: të shpallem kampion me Rosario Central. Do bëj gjithçka për ta realizuar këtë ëndërr.”

Pavarësisht se kishte planifikuar rikthimin më herët, Di María e shtyu ardhjen për shkak të kërcënimeve që mori familja e tij në vitin 2024.

“Njëherë më dërguan një kokë derri me një plumb dhe një letër ku shkruhej se vajza ime do ishte e radhës. Ishte e tmerrshme, por vendosa të mos dorëzohem”, tregoi ai.

Në fund, mes duartrokitjeve të tifozëve dhe pranisë së bashkëshortes dhe vajzave të tij, “El Fideo” zbriti sërish në fushën e stadiumit ‘Gigante de Arroyito’, duke premtuar se do japë maksimumin për të ndihmuar ekipin drejt titullit.

“Jam këtu për të luajtur dhe për të qenë i lumtur, si gjithmonë.”