Manchester United, leje të veçantë për Bruno Fernandes dhe Diogo Dalot pas pjesëmarrjes në funeralin e Diogo Jota-s
Manchester United ka vendosur t’u japë një javë shtesë pushim lojtarëve Bruno Fernandes dhe Diogo Dalot, të cilët ishin të pranishëm në ceremoninë mortore të mikut dhe ish-shokut të tyre të Kombëtares, Diogo Jota, si dhe vëllait të tij, André Silva.
Ish-sulmuesi i Liverpoolit dhe vëllai i tij humbën jetën në orët e para të mëngjesit të së enjtes, pas një aksidenti tragjik në Spanjë.
Dy lojtarët e kombëtares portugeze udhëtuan në qytetin Gondomar për t’i dhënë lamtumirën e fundit mikut të tyre të ngushtë.
Sipas asaj që raporton ‘The Sun’, drejtuesit e klubit anglez, i cili tashmë drejtohet nga trajneri Ruben Amorim dhe pritet të nisë stërvitjet këtë të hënë, kanë vendosur t’u ofrojnë Fernandesit dhe Dalot një javë të plotë pushimi shtesë për t’u rikuperuar nga ky moment i rëndë emocional.
Klubi po ashtu ka vënë në dispozicion mbështetje psikologjike për të dy futbollistët.
Një burim i brendshëm i klubit është cituar të ketë thënë:
“Skuadra është bashkuar rreth tyre. U është ofruar një javë leje dhe çdo lloj mbështetjeje e nevojshme.
Ata kanë luajtur me Jota-n për dhjetë vjet në Kombëtare dhe vetëm disa javë më parë fituan së bashku Ligën e Kombeve.”
Në funeralin prekës morën pjesë emra të mëdhenj të Liverpool-it dhe të futbollit botëror.
Trajneri Arne Slot dhe lojtarë si Virgil van Dijk, Andy Robertson, Joe Gomez, Harvey Elliott, Ibrahima Konaté, Curtis Jones, Darwin Núñez, Alexis Mac Allister, Ryan Gravenberch, Cody Gakpo e të tjerë ishin të pranishëm, krahas ish-lojtarëve si Fabinho, Thiago Alcântara, James Milner, Caoimhin Kelleher dhe Jordan Henderson.
Rúben Neves dhe João Cancelo, që luajnë me Al-Hilal, udhëtuan mbi 6 mijë kilometra për të marrë pjesë në këtë lamtumirë, menjëherë pasi skuadra e tyre u eliminua nga Kupa e Botës për Klube në SHBA.
Ceremonia ishte e mbushur me shumë emocion, dhimbje dhe solidaritet, duke treguar lidhjen e fortë që Jota kishte me miqtë dhe bashkëlojtarët e tij.
