Gianluigi Donnarumma thyen heshtjen pas dëmtimit të Jamal Musiala-s dhe kritikave të Neuer-it
Portieri i Paris Saint-Germain, Gianluigi Donnarumma, ka reaguar pas incidentit që la të dëmtuar rëndë mesfushorin e Bayern Munich, Jamal Musiala, gjatë çerekfinales së Kupës së Botës për Klube.
PSG e fitoi ndeshjen 2–0, por ajo u errësua nga dëmtimi i Musialas në pjesën e parë, i cili sipas diagnozës zyrtare ka pësuar zhvendosje të kyçit të këmbës dhe frakturë të fibulës, dhe pritet të mungojë për pesë muaj.
Pas ndeshjes, Manuel Neuer reagoi ashpër ndaj Donnarummas, duke e kritikuar për ndërhyrjen që sipas tij ishte tepër e rrezikshme:
"Ai mori një rrezik të madh që të dëmtonte kundërshtarin," deklaroi portieri gjerman për Sky Sports Germany.
Në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’, Donnarumma theksoi se nuk kishte aspak qëllim të dëmtonte Musialan:
"Jam thellësisht i tronditur nga ajo që ndodhi. Nuk ishte kurrsesi qëllimi im të lëndoja Musialan," tha ai, duke shtuar se u ndie shumë keq në momentin që kuptoi përmasat e dëmtimit në fushë.
Agjenti i Donnarummas, Vincenzo Raiola, i cilësoi si të padrejta akuzat e Neuerit dhe kritikoi idenë se portieri italian nuk kishte reaguar siç duhej:
"Gjithçka ndodhi në një të qindtat e sekondës. Gigio ishte i pari që arriti te topi dhe nuk mundi ta shmangte përplasjen.
Është e padrejtë të thuhet se ai donte ta lëndonte Musialan. Urojmë që të rikuperohet shpejt dhe të rikthehet më i fortë."
Raiola zbuloi edhe një detaj emocional:
"Gigio u përlot në fushë. Ai është një djalë shumë i ndjeshëm. Nuk mund ta duronte dot atë skenë dhe u largua që mjekët të kujdeseshin për Musialan siç duhet.
Në dhomat e zhveshjes, ai hapi telefonin për të më shkruar se ishte i tronditur dhe se nuk e kishte bërë me qëllim, gjë që nuk e bën kurrë përpara apo gjatë ndeshjes."
Në mbrojtje të Donnarummas doli edhe portieri i Real Madrid-it, Thibaut Courtois, i cili u shpreh:
"Të fajësosh Donnarumma-n për dëmtimin e Musiala-s më duket e tepërt. Portierët shkojnë për topin. Edhe sulmuesit nuk ndalen kur na hyjnë në rrugë. Ishte fat i keq.
Neuer sigurisht që është i prekur, sepse u dëmtua një shok skuadre, por Donnarumma nuk është fajtor."
Vetë Raiola u tregua i kuptueshëm për reagimin e Neuer-it:
"Në fakt, e kuptoj Neuerin. Siç tha edhe Courtois, është normale të mbrosh shokun e skuadrës.
Ai ka të drejtë kur thotë se mund të sillesh ndryshe, por çdo njeri reagon në mënyrën e vet. Ishte një episod loje, pjesë e përballjeve të përjetshme mes portierëve dhe sulmuesve."
Raiola kujtoi edhe një episod të ngjashëm nga e kaluara:
"Në dhjetor, Gigio gati humbi syrin në një përplasje me një lojtar të Monacos. Dhe vetë Neuer në vitin 2014 e goditi me grusht Gonzalo Higuaín në një ndeshje mes përfaqësueseve.
Më pas kërkoi falje, edhe pse pranoi se e kishte bërë për të shmangur një rrezik për ekipin, duke ditur që rrezikonte të dëmtonte kundërshtarin."
Ky incident ka ngjallur debat të gjerë në botën e futbollit, por mbështetja që Donnarumma ka marrë nga kolegët e tij tregon edhe njëherë sa e ndërlikuar dhe e paqëllimtë mund të jetë një përplasje brenda fushës së lojës.
