MEKSIKA TRIUMFON NË GOLD CUP/ Kombëtarja meksikane mposhti 2-1 me përmbysje SHBA-në

Meksika është kampione e Amerikës Qëndrore e Veriore e këtij edicioni. Në finalen e Gold Cup, kombëtarja meksikane mposhti me përmbysje Shtetet e Bashkuara, me shifrat 2-1. Ky ishte triumfi i 10-të për përfaqësuesen azteke në këtë kompeticion.

Për herë të 10-të në historinë e saj, Meksika ngren lart trofeun e Gold Cup, duke qenë ajo kampionia e Amerikës Qëndrore dhe Veriore, pasi mposhti në finale Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një sukses, që erdhi me përmbysje për kombëtaren azteke, pasi përballë publikut të tyre në NRG Stadium të Houstonit në Teksas, të besuarit e Maurizio Pochetinos gjetën të parët avantazhin.

Pa u mbushur ende 4 minuta lojë, SHBA-të i bën një nisje fantastike ndeshjes, me qendërmbrojtësin Chris Richards që shënoi me kokë për vendasit, duke i dhënë epërsinë përpara pak më pak se 71,000 tifozëve në shkallët e stadiumit.

Gjithsesi, amerikanët nuk mundën dot ta mbronin rezultatin, pasi meksikanët arritën të vendosnin baraspeshën brenda fraksionit të parë të lojës.

Ylli i sulmit, Raul Jimenez gjeti rrugën e rrjetës për 1-1. Ai festoi duke mbajtur një fanellë që mbante emrin dhe numrin 20 të ish-shokut të skuadrës te Wolves, Diogo Jota , yllit të Liverpoolit dhe Portugalisë, i cili humbi jetën në një aksident tragjik vetëm pak ditë më parë në Spanjë.

Ndërkohë, goli i triumfit dhe fitores së madhe mban firmën e mesfushorit të West Hemit, Edson Alvarez, i cili shfrytëzoi mjaft mirë asistin e dhënë nga Johan Vasquez, në minutën e 78-t të sfidës.

Në minutat shtesë, lojtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u munduan të barazonin shifrat por pa rezultat. Në fund festa ishte e gjitha për Meksikën.