INTERI DËRGON 4 LOJTARË NË SHTËPI! Calhanoglu, Pavard, Zielinski dhe Bisseck të dëmtuar
Katër lojtarë të formacionit kryesor të Interit nuk do të vazhdojnë ndeshjet në botëror. Për shkak të dëmtimeve ata janë kthyer në Itali për të ndjekur dëmtimet e marra
Interi është kualifikuar për në fazën me eliminim direkt të Botërorit për Klube, por do të duhet ta përballojë këtë sfidë pa katër lojtarë të rëndësishëm.
Hakan Calhanoglu, Benjamin Pavard, Piotr Zielinski dhe Yann Bisseck janë larguar nga grumbullimi dhe janë rikthyer në Milano për të vijuar rikuperimin nga dëmtimet.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi zikaltër, i cili njoftoi përmes një deklarate zyrtare se Calhanoglu ka kryer një rezonancë magnetike në Seattle, ku Interi ndodhet në grumbullim dhe ekzaminimet kanë zbuluar një risentim muskulor në muskulin soleo të këmbës së djathtë.
Ky është një problem i ri që ka shtuar pasiguritë për të ardhmen e mesfushorit turk, për të cilin së fundmi janë shtuar zërat për një kalim të mundshëm te Galatasaray, ndërsa Interi është duke vëzhguar Nicolò Rovella si zëvendësues të mundshëm.
Pavard, nga ana tjetër, nuk ka arritur të kalojë shqetësimet në kyçin e këmbës që i kishin mbetur si pasojë e dëmtimit në fundin e sezonit të kaluar.
Bisseck kishte pësuar një dëmtim në kofshën e djathtë gjatë finales së Champions League, ndërsa Zielinski mbeti i dëmtuar në pulpë gjatë ndeshjeve të Nations League me Poloninë.
Katër mungesa të rënda për trajnerin Chivu, që tani duhet të riorganizojë skuadrën për sfidat vendimtare të turneut.

