Niko Uilliams bëhet “mollë sherri”, Laporta përgjigjet në distancë: Bilbao të merret me hallet e veta!
Në mes të një ambienti të mrekullueshëm, në “Palau de la Música”, ku Barcelona ka shfaqur premierën e pjesës së tretë dhe të fundit të video podkastit “La llotja del 125”, kushtuar 125-vjetorit të themelimit të klubit, presidenti Joan Laporta u “sulmua” nga një re mikrofonash.
Objektivi ishte një dhe i vetëm: e ardhmja e Niko Uilliams dhe përplasja me Atletik Bilbaon për sulmuesin e kombëtares spanjolle. Laporta nuk ishte agresiv, por la një mesazh të qartë për klubin bask.
“Nuk kemi marrëdhënie të këqija me Atletik Bilbaon. Mendoj se ka pasur një numër keqkuptimesh dhe incidentesh vitet e fundit… por nuk mendoj se kjo është arsyeja pse mund të thuash se kemi një marrëdhënie të keqe me këtë klub. Sepse ne jemi klube me një histori të gjatë. Lidhur me reagimet që kanë… dhe e them këtë me gjithë respektin e duhur, të gjithë duhet të shohin punët e tyre. Nuk e kuptoj pse Bilbao dëshiron t’i drejtohet federatës spanjolle apo Ligës për çështje që i takojnë Barcelonës. Nuk mendoj se është puna e tyre. Ata bëjnë mirë të shohin punët e tyre dhe jo të klubeve të tjera”, komentoi Laporta.
Laporta këmbënguli gjithashtu se Barça është në gjendje të nënshkruajë me këdo dhe jo vetëm kaq, por edhe të përmbushë pjesën e dytë: regjistrimin e lojtarëve të blerë sipas rregullave të “fair play financiar” të La Ligas.
“Kemi pasur probleme dhe këtë nuk e kemi fshehur asnjëherë. Por, situata ka ndryshuar, kemi bërë hapa të mëdhenj përpara dhe e kuptoj që tani mund të nënshkruajmë normalisht. Natyrisht, duhet të përmbushim parametra të caktuar, gjë që po e bëjmë. Dhe duke përmbushur këto parametra, do të jemi në gjendje të nënshkruajmë me lojtarët që duam të nënshkruajmë dhe t’i regjistrojmë ata”.
Megjithatë, ai nuk pranoi të fliste konkretisht për Niko Uilliams.
“Le të mos përmend emra. Ne jemi të vëmendshëm ndaj të gjitha mundësive që ofron tregu. Dhe të gjitha mundësitë që ekzistojnë dhe ato që drejtori i futbollit na kërkon të ndjekim, do t’i provojmë. Nuk do të përmend emra. Po flas vetëm për mundësitë e tregut që mund të kemi”.
