Laporta përplaset me Athletic Bilbao-n për Williams-in: Secili të merret me punët e veta
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të klubit të Athletic Bilbaos lidhur me transferimin e mundshëm të Nico Williams te ‘blaugranat’ dhe akuzat për shkelje të rregullave financiare të LaLiga-s.
Gjatë një aktiviteti publik të mërkurën, Laporta foli hapur për tensionet mes dy klubeve, duke theksuar se nuk ekziston një marrëdhënie e keqe mes tyre, por duke i dërguar gjithashtu një mesazh të qartë klubit bask:
“Nuk kemi marrëdhënie të keqe me Athletic.
Ka pasur disa keqkuptime dhe incidente këto vitet e fundit, por kjo nuk do të thotë që marrëdhënia është e prishur.
Nuk e kuptoj reagimin e tyre. Me gjithë respektin, secili duhet të merret me punët e veta,” deklaroi Laporta.
Athletic Bilbao ka shprehur shqetësimin e tij në LaLiga dhe RFEF (Federata Spanjolle e Futbollit), duke argumentuar se Barça nuk është në përputhje me rregullin financiar 1:1 të LaLiga-s, i cili përcakton kufizimet e shpenzimeve për klubet.
Ky rregull është thelbësor për të realizuar blerje si ajo e Nico Williams.
Laporta, nga ana e tij, mohoi çdo shkelje dhe konfirmoi se klubi është duke vepruar brenda kornizave të lejuara:
“Ne po punojmë për të qenë brenda rregullit 1:1. E arritëm këtë që në merkaton e dimrit dhe kemi ndjekur të gjithë hapat për të qenë në gjendje të kryejmë blerje dhe regjistrime lojtarësh në mënyrë normale.
Blejmë atë që na duhet dhe e regjistrojmë,” u shpreh ai.
Në fund, Laporta konfirmoi gjithashtu se Barcelona është shumë pranë përmbylljes së marrëveshjes për transferimin e Ansu Fatit te Monaco.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, operacioni pritet të mbyllet brenda javës.
Në një verë ku Barça kërkon të rindërtojë dhe të rikthehet në nivele të larta konkurruese, përplasjet me rivalët spanjollë vetëm sa shtojnë tensionin, por Laporta duket i vendosur për të mos lejuar që këto polemika të pengojnë strategjinë e klubit.
