Theo Hernandez fluturon drejt Parisit me avion privat, gati të firmosë me Al Hilal-in

Pas pesë sezoneve me fanellën kuqezi, Theo Hernandez është gati t’i japë fund aventurës së tij te Milani.

Mbrojtësi i majtë francez ka udhëtuar drejt Parisit me avion privat, së bashku me bashkëshorten, për të finalizuar kalimin e tij te Al Hilal.

Marrëveshja është thuajse e mbyllur: një kontratë trevjeçare me një pagë marramendëse prej 22 milionë eurosh në sezon.

Transferimi vjen pas disa javësh negociatash intensive, ku një rol vendimtar ka luajtur trajneri Simone Inzaghi, i cili e ka kontaktuar personalisht Theo-n për ta bindur të pranojë sfidën saudite në moshën 27-vjeçare.

Për Al Hilal-in, afrimi i francezit është një tjetër sinjal force në merkato.

Ekziston një mundësi teorike që Hernandez të regjistrohet për pjesën e mbetur të Botërorit të Klubeve që po zhvillohet në SHBA, meqë periudha e regjistrimit të lojtarëve të rinj është e hapur nga 27 qershori deri më 3 korrik.

Megjithatë, për shkak të mungesës së përgatitjes fizike dhe afatit të ngushtë kohor, duket e vështirë që ai të jetë menjëherë i gatshëm për fushë.

Me largimin e Theo Hernandez-it, Milani humbet jo vetëm një nga lojtarët më të qëndrueshëm të viteve të fundit, por edhe një lider në fushë.

Për vetë lojtarin, nis një kapitull i ri në një futboll ndryshe, por me një kontratë që e bën një nga mbrojtësit më të paguar në botë.