Como pranë një goditjeje të madhe, Morata drejt rikthimit në Itali

Como është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për të rikkthyer Álvaro Morata-n në Serinë A.

Sipas raportimeve nga Italia, ditën e martë është zhvilluar një takim pozitiv mes drejtuesve të klubit dhe agjentit të sulmuesit spanjoll, ku janë vendosur themelet për një akord përfundimtar.

Morata mund të rikthehet në Itali pas vetëm gjashtë muajsh huazim te Galatasaray.

Situata kontraktuale e 31-vjeçarit është mjaft e ndërlikuar. Lojtari, që është në pronësi të Milanit, u huazua në fund të merkatos së dimrit te Galatasaray me një marrëveshje prej 6 milionë eurosh, që skadon më 20 janar 2026.

Klubi turk ka të drejtën që, deri më 15 janar 2026, të blejë kartonin e tij për 8 milionë euro, si dhe mundësinë të zgjasë huazimin falas deri më 30 qershor 2026.

Megjithëse në stolin e Milanit ka mbërritur Massimiliano Allegri, trajner që e vlerëson shumë Morata-n, dhe kontrata e tij me kuqezinjtë zgjat deri në vitin 2028, duket se rrugët e lojtarit dhe të klubit do të ndahen.

Morata, pasi ka biseduar edhe me trajnerin e Como-s, Cesc Fabregas, është duke pritur ofertën zyrtare nga klubi lombard.

Nëse ky operacion finalizohet, Morata do të shkruante një tjetër faqe në karrierën e tij italiane, duke u bërë kjo skuadra e tretë në Serinë A pas aventurave me Juventusin dhe Milanin.

Për Como-n, një transferim i tillë do të përfaqësonte një sinjal ambicieje të qartë në elitën e futbollit italian.